eksperti-banner

Real Madridi vazhdon ta mbajë në radar talentin e AZ Alkmaarit, Kees Smit, teksa kërkon përforcime në repartin e mesfushës për sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimit të The Athletic, klubi madrilen nuk e ka braktisur interesimin për 20-vjeçarin holandez, i cili konsiderohet një nga talentet më premtuese të futbollit evropian.


Trajneri i ri i “Los Blancos”, Jose Mourinho, thuhet se ka identifikuar Mateus Fernandesin e West Hamit dhe Enzo Fernandezin e Chelseat si objektivat kryesorë për mesfushën. Megjithatë, kostoja e lartë e këtyre transferimeve po paraqitet si pengesë serioze për realizimin e tyre.

Në këto rrethana, Smit shihet si një alternativë më e përballueshme financiarisht, ndërsa vetë lojtari raportohet se e konsideron Real Madridin një destinacion shumë tërheqës për vazhdimin e karrierës.

Mesfushori holandez vlerësohet rreth 60 milionë euro dhe menaxhimi i mundshëm i transferimit të tij është marrë përsipër nga agjenti i njohur Jorge Mendes, me kërkesë të AZ Alkmaarit, i cili synon të gjejë një klub të madh për yllin e ri.

Mendes mund të luajë një rol kyç në këtë operacion, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tij të ngushta me Mourinhon dhe përfshirjen në disa lëvizje të rëndësishme drejt Madridit gjatë viteve të fundit.

Smit pati një sezon mbresëlënës me AZ Alkmaarin, duke regjistruar pesë gola dhe dhjetë asistime në të gjitha garat. Paraqitjet e tij të mira u shpërblyen edhe me debutimin në kombëtaren e Holandës gjatë muajit mars.

Për momentin nuk ka negociata zyrtare mes palëve, por emri i Kees Smit vazhdon të mbetet një nga opsionet që Real Madridi po shqyrton seriozisht për të ardhmen./Telegrafi/

telegrafi sport app