Jared Leto përballet me akuza për abuzim nga katër gra - thuhet se ngjarjet kanë ndodhur kur ato ishin adoleshente

Aktori dhe muzikanti i njohur, Jared Leto, është akuzuar nga disa gra për sjellje të papërshtatshme dhe vepra të dyshuara seksuale që, sipas pretendimeve të tyre, kanë ndodhur kur ato ishin të mitura ose adoleshente.
Rrëfimet janë bërë pjesë e dokumentarit të BBC-së “Jared Leto: Hollywood’s Dark Secret”, ku gjithsej dhjetë gra kanë ndarë përvojat e tyre.
Sipas BBC-së, nëntë gra kanë folur publikisht për herë të parë për takimet e tyre me aktorin, të cilat pretendohet se kanë ndodhur mes viteve 2002 dhe 2016.

Disa prej tyre kanë deklaruar se kanë qenë adoleshente në kohën e ngjarjeve.
Leto, i cili sot është 54 vjeç, nuk ka reaguar ndaj kërkesave të BBC-së për të komentuar akuzat.
Një nga gratë, e identifikuar me pseudonimin Isabel, pretendon se është sulmuar seksualisht në vitin 2002, kur ishte 17 vjeçe.
Ajo ka treguar se takimi ka ndodhur në një hotel në Las Vegas dhe se për një kohë të gjatë ka fajësuar veten për atë që kishte ndodhur.
Një tjetër grua, Alex, ka rrëfyer për një takim në vitin 2013, kur ajo ishte 19 vjeçe dhe Leto 41 vjeç.
Sipas saj, gjatë një takimi në një hotel ajo është ndjerë e pasigurt dhe ka pretenduar se aktori i kishte bërë komente kërcënuese.
Po ashtu, Clara ka deklaruar se ka pasur një marrëdhënie me Leton në vitin 2006, kur ajo ishte 17 vjeçe dhe ai 34 vjeç.
Ajo pretendon se gjatë takimeve të tyre kishte sjellje të papërshtatshme nga ana e aktorit.
Një tjetër dëshmi vjen nga Taylor, e cila thotë se e ka takuar Leton në vitin 2005, kur ishte vetëm 14 vjeçe. Ajo pretendon se gjatë një takimi pas koncertit ai kishte bërë komente të papërshtatshme ndaj saj.
Dokumentari përfshin gjithashtu rrëfime për telefonata me përmbajtje seksuale që disa gra pretendojnë se i kanë marrë nga Leto kur ishin adoleshente.
Njëra prej tyre, Etta, ka thënë se kishte qenë 16 vjeçe kur aktori dyshohet se e kishte kontaktuar dhe i kishte bërë pyetje intime.
BBC raporton gjithashtu se disa ish-punonjës të grupit 'Thirty Seconds to Mars' kanë folur për shqetësimet që ekzistonin brenda stafit lidhur me mënyrën se si Leto komunikonte me vajza të reja. /Telegrafi/
















































