LAJMI I FUNDIT:

Japonia përforcon aleancën me ShBA-në, për t’iu kundërvënë Kinës

Japonia përforcon aleancën me ShBA-në, për t’iu kundërvënë Kinës
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Fumio Kishidas i mungon karizma dhe është jopopullor në vendin e vet. Por, kur kryeministri japonez e viziton Uashingtonin këtë javë, ai do të mirëpritet si hero.


Popullariteti i Kishidas në administratën e Bidenit shkon përtej rrahjes rutinore të krahëve për një aleat të afërt. Sipas tij, Japonia ka bërë disa nga ndryshimet më të rëndësishme në politikat e veta të jashtme – dhe të sigurisë – që nga Lufta e Dytë Botërore. Këto ndryshime nxiten nga vendosmëria e Japonisë për të parandaluar Kinën autoritare që të dominojë në Indo-Paqësor.

Afërsia më e madhe e Uashingtonit dhe Tokios do të shfaqet të enjten, kur Kishida do t’i drejtohet Kongresit. Këtë javë do të përmenden edhe planet të cilat komandantët ushtarakë amerikanë dhe japonezë do t’i punojnë së bashku. Në të ardhmen, disa nga planifikimet ushtarake që ShBA-ja bën aktualisht në Havai, do të zbatohen nga Japonia. Ka gjithashtu të ngjarë që Japonia të rrisë bashkëpunimin teknologjik me AUKUS-in – me pakti e sigurisë Australi-Mbretëri e Bashkuar-ShBA.

Pjesa e fundit e vizitës së Kishidas në Uashington, do të jetë samiti trepalësh midis Japonisë, ShBA-së dhe Filipineve, duke nënvizuar vendosmërinë e përbashkët të Uashingtonit dhe Tokios për të mbështetur filipinasit të cilët janë nën presion të shtuar nga Pekini në Detin e Kinës Jugore.

Të gjitha këto nisma bazohen në ndryshimet e mëdha që janë bërë tashmë në politikën e sigurisë kombëtare të Japonisë. Nën udhëheqjen e Kishidas, Japonia është zotuar të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe të arrijë një objektiv prej dy për qind – deri në vitin 2027 – të prodhimit të brendshëm bruto. Në shkëputjen nga pacifizmi i pasluftës i Japonisë, qeveria e Kishidas është larguar gjithashtu nga ndalimi tradicional i vendit për eksportet e armëve. Japonia tani do t’i lejojë shitjet jashtë shtetit të një aeroplani të ri luftarak që po zhvillon së bashku me Britaninë dhe me Italinë. Qeveria gjithashtu ka rregulluar marrëdhëniet me Korenë e Jugut, duke riparuar përçarjen e dëmshme midis dy aleatëve jetikë amerikanë në Indo-Paqësor.

Në një farë mënyre, është befasuese se si e gjithë kjo duhet të ndodhë nën Kishidan e butë dhe jo nën Shinzo Aben që është haptazi më nacionalist dhe më i fuqishëm – i cili ishte kryeministër i Japonisë nga viti 2012 e deri në vitin 2020. Por, pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, rrënjësisht e ka ndryshuar mendimin gjeopolitik në Japoni, duke ia lejuar Kishidas të shtyjë ndryshimet e përkrahura nga Abe.

Ka vende të rëndësishme aziatike – për shembull, India dhe Indonezia – të cilat besojnë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk ka implikime për sigurinë e tyre kombëtare. Japonia ka pikëpamje tjera. Kishida ka thënë vazhdimisht se “Ukraina e sotme mund të jetë Azia lindore e së nesërmes” – duke përmendur ngacmimin detar kinez, si dhe programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, si dëshmi për kërcënimin e shtuar për luftë.

Edhe historia edhe gjeografia luajnë rol në vëmendjen e Japonisë ndaj Rusisë. Rusia është fqinj i afërt. Tokio është më afër Vladivostokut sesa Pekinit. Dhe, rivaliteti midis dy vendeve shtrihet që nga lufta ruso-japoneze e viteve 1904-1905.

Por, janë pasojat e luftës në Ukrainë ato që ndikojnë në sjelljen e ardhshme të Kinës dhe të Koresë së Veriut dhe që e kanë vënë Japoninë në gatishmëri. Qeveria Kishida sheh se konflikti e ka afruar më shumë Pekinin me Moskën. Në dhjetor, Rusia dhe Kina kryen fluturime të përbashkëta me bombardues mbi Detin e Japonisë. Kina gjithashtu ndihmon që të mbahet gjallë ekonomia ruse, ndërkohë që është bërë më e ngushtë marrëdhënia ushtarake e Rusisë me Korenë e Veriut. Sipas Tokios, këto zhvillime duken gjithnjë e më shumë si kërcënime të ndërlidhura.

Përtej elitës politike të Tokios, shtrihet besimi se Japonia po jeton në kohë të rrezikshme dhe në një rajon të rrezikshëm, dhe se si reagim duhet t’i afrohet Amerikës. Në epokat e mëparshme, lëvizjet e ashpra të Kishidas do të kishin ndezur protestat serioze publike – por, jo më. Yasushi Watanabe, profesor në Universitetin Keio, thotë se kur nisi të ligjëronte 25 vjet më parë, studentët e tij në mënyrë të barabartë ishin të ndarë në pikëpamjen për aleancën e sigurisë ShBA-Japoni. Sot, thotë ai, 90 për qind janë pro.

Megjithatë, Japonia, po si aleatët e Amerikës në Evropë, është shumë e shqetësuar për izolacionizmin, proteksionizmin dhe paparashikueshmërinë e plotë që mund të rrjedhë nga administrata e dytë e mundshme e Trumpit. Ekipi i Kishidas e di se nuk mund të mbështetet më në një konsensus dypartiak që përcakton politikën e jashtme të ShBA-së – gjë që e bën shumë më të komplikuar krijimin e një mesazhi që do të shkojë si duhet në të dy drejtimet në Uashington.

Prandaj, lideri japonez do ta përdor fjalimin e tij në Kongres për të apeluar për interesat dhe vlerave amerikane. Kishida do të argumentojë se, në mbrojtjen e botës demokratike, Japonia tashmë është partner kyç global i ShBA-së. Por, Japonia zyrtare e di se Amerika është e paparashikueshme – dhe se po bëhet gjithnjë e më shumë. Si rezultat, Tokio tashmë po merr disa masa diskrete të mbrojtjes. Vendimi i Japonisë për të zhvilluar aeroplanin e ri luftarak bashkë me Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë, është shembull i këtij vendi për afrimin drejt demokracive të tjera dhe fuqive dytësore.

Për administratën e Bidenit, që është e rrethuar nga krizat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, marrëdhënia ShBA-Japoni është një rast i rrallë dhe i ndritshëm në një botë gjithnjë e më të trazuar.

Joe Biden dhe ekipi i tij e shohin kundërvënien e fuqisë kineze si “sfidë të shpejtë” për politikën e jashtme të ShBA-së. Historianët mund të gjykojnë nëse ato përpjekje – në të cilat Japonia luan rol qendror – kanë shkuar mirë. Nëse votuesit amerikanë do ta vërejnë këtë apo nëse do t’ju interesojë në nëntor, kjo është një pyetje tjetër. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Bundesliga
Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Shtetasi turk iu vërsul me thikë policëve izraelitë në Jerusalem, qëllohet për vdekje – publikohen pamjet e momentit rrëqethës

Azia
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Tifozët kanë mbetur të shokuar me pritjen që iu bë Toni Kroosit në ‘Allianz Arena’

Liga e Kampionëve
Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Harry Kane i përgjigjet incidentit të penalltisë me Jude Bellingham me një përgjigje të qartë

Liga e Kampionëve
Moment emocionues - Kiara Tito sjell një foto të Luizit duke mbajtur në krah vajzën e tyre të porsalindur

Moment emocionues - Kiara Tito sjell një foto të Luizit duke mbajtur në krah vajzën e tyre të porsalindur

Magazina
Kalo në kategori