Ish-presidenti i Real Madridit shpjegon pse bashkimi i Messit dhe Ronaldos ishte i pamundur


Ish-presidenti i Real Madridit, Ramon Calderon, ka folur për mundësinë e shumëpërfolur që klubi madrilen të transferonte Lionel Messin dhe ta bashkonte me Cristiano Ronaldon, duke pranuar se një skenar i tillë ishte i dëshirueshëm, por kurrë realisht i mundur.
Duke komentuar idenë e bashkimit të dy yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror, Calderon u shpreh: “Do ta kisha dashur shumë, por ishte e pamundur, sepse Messi ishte te Barcelona dhe ata kurrë nuk do ta kishin lejuar të largohej, përveç nëse do ta merrte vetë iniciativën, siç bëri Cristiano te Manchester United”.

“Por ai ishte i lumtur te Barcelona dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë mundësi. Është për të ardhur keq, sepse bashkimi i dy lojtarëve më të mirë në botë në të njëjtën skuadër do të kishte qenë fantastik”.
Calderon, i cili luajti rol kyç në transferimin e Cristiano Ronaldos te Real Madridi në vitin 2009, theksoi se afrimi i portugezit kishte një dinamikë krejtësisht tjetër.

“Ne kemi qenë në negociata për dy vite. Manchester United, natyrisht, nuk donte ta linte të largohej, por lojtari dëshironte të vinte”, tha ai.
Ai shtoi se Real Madridi veproi me vendosmëri sapo u krijua mundësia, ndërsa situata e Lionel Messit ishte krejtësisht e ndryshme për shkak të përkushtimit të tij ndaj Barcelonës, gjë që e bënte të pamundur çdo operacion të ngjashëm. /Telegrafi/






































