Gjiganti zikaltër, Interi po jeton epokën më të artë moderne - dominimi financiar, stabiliteti dhe sukses evropian e kanë kthyer Interin në klubin më të vlefshëm të Italisë.

Është zyrtare: Interi nuk po fiton vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Klubi zikaltër ka arritur një rekord historik financiar, duke kapur për herë të parë vlerën prej 2.1 miliardë eurosh dhe duke u konfirmuar si klubi më i vlefshëm italian në raportin më të ri të Football Benchmark.


Sipas studimit prestigjioz “Football Clubs’ Valuation: The European Elite”, Interi tashmë vlerësohet me plot 2.137 miliardë euro, një rritje marramendëse prej 25 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Është ngritja më e madhe mes klubeve italiane dhe një nga më spektakolaret në gjithë Evropën.

Pas tyre mbeten Juventusi me 1.837 miliardë euro dhe Milani me 1.807 miliardë euro, ndërsa diferenca tashmë ka filluar të bëhet e dukshme. Më poshtë renditen Napoli (967 milionë euro), Roma (730 milionë euro), Atalanta (638 milionë euro) dhe Lazio (519 milionë euro).

Në majën absolute të Evropës vazhdon të qëndrojë Real Madrid me një vlerësim monstruoz prej 7.7 miliardë eurosh, por rritja e Interit konsiderohet ndër fenomenet më të mëdha të dekadës në futbollin evropian.

Suksesi nuk ka ardhur rastësisht. Në gjashtë vitet e fundit, Interi ka ndërtuar një cikël të jashtëzakonshëm: tri Scudetto, dy vende të dyta në Serie A, dy finale të Ligës së Kampionëve, tre Kupa Italie dhe tre Superkupa Italiane. Një vazhdimësi që ka rikthyer klubin në elitën absolute të kontinentit.

Nga një klub që vlente më pak se 500 milionë euro para ardhjes së familjes kineze Zhang, Interi kaloi kufirin e 1 miliardë eurove në vitin 2022 dhe tani ka hyrë fuqishëm në klubin ekskluziv të gjigantëve me mbi 2 miliardë euro vlerë.

Rritja është ndërtuar mbi të ardhura rekord, fitime historike dhe një menaxhim financiar shumë më të qëndrueshëm, sidomos pas marrjes së kontrollit nga Oaktree Capital Management. Paralelisht, zhvillimi global i markës dhe stabiliteti sportiv kanë krijuar formulën perfekte për shpërthimin ekonomik zikaltër.

Drejtori ekzekutiv i Football Benchmark, Andrea Sartori, e krahasoi Interin aktual me Juventusin e epokës para ardhjes së Cristiano Ronaldo, duke theksuar se kombinimi mes suksesit sportiv dhe disiplinës financiare po bëhet modeli i ri dominues në futbollin modern.

Dhe në qendër të këtij revolucioni vazhdon të jetë Giuseppe Marotta - arkitekti i një Interi që jo vetëm po fiton trofe, por po shndërrohet në një superfuqi ekonomike të futbollit evropian. /Telegrafi/

telegrafi sport app