LAJMI I FUNDIT:

Instituti GAP kërkon miratimin e pagës së re minimale dhe heqjen e tatimit për gazin e peletin

Instituti GAP kërkon miratimin e pagës së re minimale dhe heqjen e tatimit për gazin e peletin

Instituti për Studime të Avancuara GAP ka thënë se rritja e ndjeshme e çmimeve po e rëndon mirëqenien e familjeve në Kosovë, derisa sfiduese do të jetë dhe furnizimi me energji elektrike në muajt në vijim.

GAP me anë të një raporti ka kërkuar miratimin e Ligjit të ri të Pagës Minimale dhe heqjen e tatimit për gazin e peletin.


“Krahas masave aktuale të Qeverisë, është e duhur që të miratohet paga e re minimale e cila do të ndikonte rreth 106 mijë punonjës të sektorit privat. Po ashtu, të konsiderojë lirimin nga obligimet tatimore për gazin dhe peletin, çmimet e të cilave parashihet të kontrollohen përmes ligjit të ri”, thekson GAP në raportin “Si ndikon në inflacion kontrolli i çmimeve të produkteve?“, raporton Telegrafi.

Po ashtu, aty thuhet se nëse problemi me inflacionin shndërrohet në problem afatgjatë, politika e kontrollit të çmimeve mund të dëmtojë sektorët e ndikuar.

“Nëse problemi me inflacionin shndërrohet në problem afatgjatë, politika e kontrollit të çmimeve mund të dëmtojë sektorët e ndikuar, siç tregojnë gjetjet nga vendet e tjera të cilat kanë aplikuar masa të ngjashme. Me Ligjin e miratuar nga Kuvendi, do të preken sektorë që së bashku kanë qarkulluar mbi 1.1 miliard euro në vitin 2021 apo sa 15 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto për atë vit. Praktikat e vendeve tjera tregojnë që kontrolli i çmimeve si instrument për uljen e inflacionit është jo-efektiv, meqë pas heqjes së kufizimeve, çmimet kanë tendencë të rriten menjëherë”, thuhet në raport.

“Aplikimi i formave tjera të ndihmës ndaj qytetarëve, që kryesisht parashohin uljen e normave tatimore ose heqjen e TVSH dhe akcizës për disa produkte, mund të ketë ndikim buxhetor nga 205 deri 246 milionë euro në gjashtë muaj apo rreth 455 milionë euro në vit. Ndër problemet kryesore me politika të tilla mbetet targetimi jo adekuat, si dhe ndikimi në rritjen artificiale të konsumit”, përfundon GAP. /Telegrafi/