eksperti-banner

Një delegacion i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori z. Ahmet Ismaili, zhvilloi vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Kroacisë (HNB), ku u prit nga Zëvendësguvernatori. Z. Michael Faulend dhe ekipi i tij.

Gjatë takimit u diskutua për funksionin e rimëkëmbjes dhe përmbylljes, me fokus në funksionalizimin dhe avancimin e mëtejshëm të këtij funksioni në kuadër të BQK-së, në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet ndërkombëtare. Diskutimet përfshinë gjithashtu zhvillimet në sektorin financiar dhe bankar, reformat në vijim, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në fusha me interes të përbashkët.


Në kuadër të vizitës, ekipet profesionale të BQK-së dhe HNB-së zhvilluan takime teknike të fokusuara në kornizën ligjore dhe institucionale të përmbylljes në Kroaci dhe në Bashkimin Evropian. Diskutimet trajtuan planifikimin dhe testimin e përmbylljes, përcaktimin e funksioneve kritike, si dhe kërkesat lidhur me MREL-in. Këto takime shërbyen për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, në mbështetje të konsolidimit të këtij funksioni në BQK.

Guvernatori Ismaili zhvilloi takim edhe me Zëvendësguvernatoren, znj. Sandra Švaljek, me të cilën diskutoi mbi zhvillimet kryesore në sektorin bankar, proceset integruese dhe përvojën e Kroacisë në avancimin e kornizës institucionale dhe rregullative në kontekstin evropian.

I shoqëruar nga anëtarët e Bordit Menaxhues të Bankës Qendrore të Kroacisë, Zëvendësguvernatorja Švaljek dhe Zëvendësguvernatori Faulend, Guvernatori Ismaili vizitoi Muzeun e Parasë “Moneterra”, ku u prit nga Drejtorja e Muzeut, znj. Ines Merkl. Gjatë vizitës, ai u njoh nga afër me historikun e zhvillimit të sistemit financiar dhe monetar të Kroacisë, përfshirë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në zonën euro.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës shprehu falënderimin për Bankën Qendrore të Kroacisë, menaxhmentin dhe ekipet profesionale të saj për mikpritjen, bashkëpunimin e afërt dhe shkëmbimin e vlefshëm të përvojave gjatë kësaj vizite zyrtare.

Të dy institucionet u pajtuan që të zgjerojnë më tej bashkëpunimin në fushën e rimëkëmbjes dhe përmbylljes, krahas bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të deritanishëm në fusha të tjera me interes të përbashkët, i cili edhe u vlerësua lart.