LAJMI I FUNDIT:

Hrushovit ia dhuruan kostumin e Preng Bibë Dodës

Hrushovit ia dhuruan kostumin e Preng Bibë Dodës

Ndrek Gjini

Napoleoni i III (1808 – 1873) ka qenë kumbari i Preng Bib Dodës. Këtë fakt e mësova veç disa muaj më parë. Një kolegu im, lektor i lëndës së Gjenealogjisë në Universitetin Kombëtar të Irlandës në Galway, në pushimin mes seancave të një konference kushtuar Napoleonit të III më tha: A ka në Shqipëri një muze kushtuar Bib Dodës? “Nuk jam i sigurt”, i thashë, “por nuk besoj të ketë”.

Atë mbrëmje, pas konferencës u takuam serish. Ai më foli gjatë dhe gjithë pasion rreth historisë së Bib Dodës dhe faktit se si Napoleoni i III u bë kumbari i djalit të vetëm të tij, Prengës. Napoleoni i dhuroj atij edhe një prej shpatave të tij; shpatë me te cilën i biri, Prenga, ka pozuar me krenari në disa foto të tij, i veshur me kostumin kombëtar shqiptar.

Në ditët në vijim nisa të gërmoj në bibliotekën e Universitetit dhe në internet për të gjetur diçka më shumë rreth këtyre fakteve. Punët e ngjeshura të përditshmërisë time ma bënë ta lë pas dore këtë kërkim.

Por, fatmirësisht, krejt papritur një tjetër koleg që jep lëndën e Historisë së Rusisë, më flet disa jave me vonë rreth vizitës së Hrushovit në Shqipëri. Madje, ai më tregon edhe për një pemë që Hrushovi ka mbjellë në kryeqytetin shqiptar dhe një dhuratë që Hrushovi ka marrë nga Enver Hoxha. Kjo dhuratë ishte një kostum tradicional shqiptar i veshur nga Preng Bib Doda.

Preng Bib Doda, ka qenë Princi i Mirditës. Ai lindi në Orosh të Mirditës në vitin 1858 në familjen e Gjomarkajve. Gjomarkajt ishin autoriteti me i lartë i pleqërimit të kodit zakonor shqiptar (kanunit) në Gegëri dhe prijësit tradicional të Mirditës.

Ai ishte një ndër drejtuesit kryesor të Lidhjes Shqiptare te Prizrenit. Komandant i Lidhjes se Shkodrës dhe komandant i forcave Mirditore e Shkodrane që luftuan në mbrojtjen e Hotit e Grudës nga malazezet ne vitin 1880. Kandidat për fronin mbretëror të Shqipërisë në vitin 1914, dy herë zëvendëskryeministër dhe dy herë ministër. Ndër figurat më të shquara të kombit shqiptar, me një kontribut të jashtëzakonshëm në drejtimin e kryengritjeve për liri e pavarësi!

U vra me 22 mars ne vitin 1919 ne Zejmen të Malësisë së Lezhës. Pas vrasjes së Preng Bib Dodës, për një periudhë të shkurtër Mirdita u drejtua nga e shoqja, Luçia. Më pas, parinë e Mirditës e mori kapedan Marka Gjoni, po nga familja e Gjomarkajve.

Këto fakte nuk kanë ndonjë peshë apo rëndësi të veçantë në historinë e një vendi. Por, nëse ne do t’i përdornim këto muze (të munguara, vende, madje dhe peme, për nxitjen e industrisë se turizmit, ato do te luanin një rol jo të vogël në thithjen e turisteve të kulturës dhe historisë).