LAJMI I FUNDIT:

Historia e terrorizmit (3): Epoka e terrorizmit nacionalist

Historia e terrorizmit (3): Epoka e terrorizmit nacionalist

Cili ishte aktiviteti terrorist në Turqi gjatë viteve 1970? Sa vrasje politike janë kryer gjatë kësaj dekade? Si e mori pushtetin dhe si solli rendin në vend ushtria turke? Si u organizuan celulat e para terroriste palestineze dhe cila ishte lufta e tyre kundër shtetit hebre? Si u bë vrasja e atletëve hebrenj në Lojërat Olimpike të vitit 1972 në Munih? Pse terrorizmi irlandez mori hov pas vitit 1969? Si dështoi atentati kundër kryeministres britanike Margaret Theçër? Si i dha fund këtij aktiviteti terrorist presidenti amerikan Bill Klinton dhe kryeministri britanik Toni Bler? Cilat ishin sulmet terroriste të ETA-s baske në Spanjë dhe cilat ishin ngjashmëritë e saj me aktivitetin e IRA-s irlandeze?

Historia e terrorizmit (1): Cilat janë grupet e para terroriste në botë?
Lexo po ashtu Historia e terrorizmit (1): Cilat janë grupet e para terroriste në botë?
Historia e terrorizmit (2): Hovi i keq i shekulli XIX dhe shekullit XX
Lexo po ashtu Historia e terrorizmit (2): Hovi i keq i shekulli XIX dhe shekullit XX

Pak shtete, jashtë botës komuniste, ishin të prekura nga terrorizmi sikur Turqia në vitet 1970. Aktivitetet terroriste në vend ishin fillimisht të nxitura nga e majta ekstreme, pjesërisht si rezultat i rishfaqjes së terrorizmit në Evropë. Por, brenda disa viteve, e djathta ekstreme iu bashkua luftës, por situata u komplikua edhe më shumë si resultat i ndihmës së madhe, të ofruara për terroristët, nga shtetet tjera. E majta kishte përkrahje nga Bullgaria dhe shtetet e bllokut evro-lindor, e djathta nga Siria dhe shtetet tjera arabe. E majta operonte kryesisht brenda universiteteve, të cilat shërbenin si baza jo të dhunshme ku policia nuk mund të hynte, ndërsa e djathta shfrytëzonte për të njëjtin qëllim institucionet religjioze. Pasi që policia nuk ishte në gjendje të përballonte situatën, ligji ushtarak u aplikua më 1971. Deri në vitin 1974, ligji dhe rendi pak a shumë erdhën në vend, transmeton Telegrafi.


TERRORIZMI TURK, KURD DHE PALESTINEZ

Gjatë këtyre viteve shpallet edhe amnistia e përgjithshme. Por, ky ishte gabim i shtrenjtë, sepse amnistia ua mundësoi shumë militantëve që të rifillojnë aksionet terroriste; më 1978-79, 2.400 vrasje politike janë kryer në vend, madje ishte rreziku që të shpërthente lufta e hapur në rrugë. Armata mori prapë kontrollin në tetorin e vitit 1980, dhe brenda disa ditëve rendi u vendos. Më shumë se 730.000 armë janë kapur dhe 75.000 të dyshuar janë arrestuar gjatë viteve të grusht-shtetit ushtarak. Shumë nga këta të dyshuar janë liruar së shpejti, por 24.000 të tjerë janë akuzuar për sulme terroriste.

Shumë aktivitete terroriste në Turqi janë zhvilluar në qytete të mëdha, por pa asnjë arësyje, ato janë izoluar aty. Disa ekspert i shpjegojnë rrënjët e terrorizmit turk me urbanizimin e shpejtë që ka shkaktuar çrregullime dhe tensione të brendshme. Paraqitja e qyteteve të varfëra në fqinjësi me qytetet e mëdha ofronte rezerva të mëdha për elementet e pakënaqura, të gatshme që t’i bashkangjiten aktiviteteve terroriste. Por, hulumtimi më i përafërt tregon se shumica e terroristëve nga e majta nuk ishin të rekrutuar në këtë mjedis dhe është e pasigurtë nëse ata ofronin veprimtarët për terroristët e krahut të djathtë.

Ishte një pakënaqësi me demokratizimin gradual të cilin e nisi Ataturku dhe është e paqartë nëse shoqëria turke ishte e gatshme për demokratizimin. Eksperimenti demokratik në Turqi ishte sukses i pjesërishëm dhe derisa shteti kishte bërë progres ekonomik, jo secili kishte përfituar në masa të njëjta.

Terrorizmi turk u zbeh në fund të viteve 1970, por vetëm disa vjet më vonë një formë e re e dhunës u paraqit, e nxitur nga minoriteti kurd, kryesisht në rajonet jourbane. Aktet terroriste ishin po ashtu të kryera edhe nga grupet ekstreme islamike, që tentonin të ç‘bënin reformat sekulare kemajliste që kishin zënë vend gjatë historisë së fundit 70-vjeçare të Turqisë.

Terrorizmi palestinez u zhvillua nga lëvizja e rezistencës palestineze kundër Izraelit. Kishte sulme kundër kolonive izraelite që nga koha kur shteti u formua, kryesisht me sulme të vogla përgjatë kufirit. Por, pas luftës së vitit 1967 dhe okupimit të Bregut Lindor, kampanja kryesore terroriste tek filloi. Në mesin e protagonistëve kryesorë ishin fillimisht të vetëquajturat grupe marksiste: FPÇP (Froni Popullor për Çlirimin e Palestinës), i udhëhequr nga dr. Habash, dhe Fronti Demokrati për Çlirimin e Palestinës, i udhëhequr nga Nagjib Havatme.

TERRORIZMI DHE SLLOGANET KOMUNISTE

Sidoqoftë, duhet të ceket se slloganet marksiste-leniniste një kohë paraqiteshin në publikimet e shumë lëvizjeve nacionaliste terroriste, përfshirë këtu edhe IRA-në dhe ETA-në baske. Kur komunizmi filloi të mos ishte më në modë, slloganet marksiste-leniniste ranë, ndërsa karakterit nacionalist të këtyre lëvizjeve u dha shprehje më e madhe.

Përfundimisht, PLO, e cila ishte organizata politike dhe diçka si lëvizje e parafërt me gerilën, po ashtu zgjedhi terrorizmin përmes Shtatorit të Zi dhe grupet tjera. Palestinezët u angazhuan në aktet lemeritëse, si vrasja e atletëve izraelit në Lojërat Olimbike të Munihut më 1972 dhe shkatërrimin disa aeroplanëve reaktivë në Fushën Davson të Jordanit, në shtatorin e vitit 1970. Por, këto operacione të mëdha zakonisht dështonin: p.sh. në Fushën Davson, incidenti kërcënonte ekzistencën e Jordanit, prandaj Shtatori i Zi është shtypur nga armata jordaneze. Izraelitet hakmerreshin me kundërterror brenda Izraelit dhe më gjerë dhe kidnapimi i aeroplanëve, që një kohë ishte strategjia kryesore, u la pas dorës.

Terrorizmi palestinez, ndonëse vetvetiu nuk kishte sukses, kishte përparësi ndaj lëvizjeve tjera terroriste – që do të thotë se përkrahja shtrihej nga shtetet arabe, të cilat krijonin vështirësi politike për Izraelin. Përfundimisht, ky presion i shfaqur nga shtetet arabe përmes fuqive kryesore, i kombinuar nga Intifada (e cila ishte më shumë masive se sa dhunë individuale), solli deri te koncesionet e Izraelit. Izraeli po ashtu dëmtohej nga publiciteti i madh, madje edhe për një ngjarje të vogël terroriste në Izrael, në krahasim me p.sh. terrorizmin shkatërrimtar në Shri Lankë dhe Algjeri.

Kur terrorizmi i së majtës ekstreme zbrapsej në prapaskenë apo mbaronte, terrorizmi nacionalisto-seperatist që kryesisht kishte fjetur që nga Lufta e Parë Botërore, përjetoi rishfaqje në vitet 1970.

Era e re terrorizmit po agon, por terrorizmi i vjetër është ende larg vdekjes, ndonëse është dobësuar dukshëm në Evropë. Një shembull të tillë paraqet Irlanda Veriore. Dhuna në Irlandë shfaqet para shumë shekujsh dhe kujtimet për Betejën e Kinsalit (1601) dhe Bojnit (1690) në mes të protestantëve dhe katolikëve, është mbajtur gjallë në qarqet republikane deri sot.

TERRORIZMI I VJETËR DHE I RI: IRA DHE ETA

Terrorizmi në Irlandë u zhvillua në vitet 1968-69 gjatë demonstratave katolike dhe protestante dhe nuk është ndalur që atëherë. Faza e fundit e problemeve në Irlandën Veriore fillon më 1969. Vitet e para të problemeve (1972-76) ishin më të përgjakshmet. Që andej e tutje numri vjetor i viktimave zvogëlohej për të tretën e asaj që ishte në vitet e para. Kishte akte spektakulare, si vrasja e Lordit Montbaten (Mountbatten), nënmbreti në pension i Indisë; vrasja e Ajri Nivit (Airey Neave), ministër i Kurorës; vendosja e bombave në qendrat tregtare në Londër dhe Mançester, që shkaktonin dëme të mëdha materiale dhe tentimi për ta vrarë kryeministren britanike Theçër (Thatcher) dhe lidershipin konservativ gjatë konferencës partiake. Kishte po ashtu sulme kundër forcave britanike në Evropë, e sidomos në Gjermani.

Por, IRA ka mundur të kryente sulme në shkallë më të gjerë dhe më shpesh, për shkak të përkrahjes financiare që ata pranonin dhe për shkak të furnizimit të armëve që ata e kishin në disponim. Çka i mbante aktivitetet e tyre në nivele relativisht të ulëta? Lidershipi i IRA-së duket se kishte kuptuar heret, se kampanja e tyre kundër britanikëve mund të zgjasë dhe nëse ajo bëhet shumë e frikshme dhe e rrezikshme, sidomos në tokën britanike, ata do ta kthejnë kundër tyre jo vetëm opinionin publik, por po ashtu do të iniconin kundërgoditje më efektive. Pastaj, ata as që shpresonin se mund të përforcojnë pozicionet në komunitetin e tyre; në zgjedhjet parlamentare ata mezi fituan 15 për qind të votave.

Strategjia e tyre, nga fundi i viteve 1970, duket se tentonte të lodhte britanikët, ndoshta që të presin kohën kur Britania do të jetë në pozicion shumë të dobët sa që do të ofronte koncesionet për të cilat nuk ishte e gatshme në të kaluarën. Qëllimi i republikanëve ishte, mbi të gjitha, i limituar në veprim, krahasuar me grupet palestineze, si Hamasi. Ata nuk dëshironin shkatërrim total të armikut të tyre, por vetëm Irlandën e bashkuar.

Pastaj, më 1993 filluan negociatat politike. Baza është pregaditur për bisedimet në mes të Dablinit dhe Londrës, në të cilat mbrojtja kushtetutare është përfshirë. Në këtë aspekt, IRA deklaroi armëpushim në gusht të vitit 1994; grupet protestante e vazhduan procesin një muaj më vonë. Armëpushimi zgjati deri në shkurt të vitit 1996, kur IRA vazhdoi veprimet ushtarake. Grindja kryesore bazohej te kërkesa britanike që IRA të dorëzonte arsenalin e armëve. Kjo është interpretuar nga Shin Fejn (Sinn Fein), krahu politik i IRA-s, si çarmatosje unilaterale, prandaj edhe e papranuar.

FUNDI I TERRORIZMIT NË IRLANDËN VERIORE

Bisedimet shumëpalëshe kanë vazhduar, por Shin Fejn është përjashtuar për sa kohë që IRA vazhdon sulmet. Pastaj, më 1997, në pushtetin e Britanisë erdhën laburistët, me dëshirën për një fillim të ri. Shin Fejn, i rrethuar nga ndarjet e brendshme, nuk u përgjigj në fillim. Protestantët, në bazë të përvojave të tyre, nuk ishin të gatshëm të participojnë në qeverinë e re britanike, të përtëritur pas negociatave me Shin Fejnin në gusht të vitit 1997, me çarmatosjen si çështjen më problematike. Pas shumë pengesave, këto bisedimeve shpien në një marrëveshje të re më 1998.

Ishte një përshtypje se, përderisa armiqësitë e vjetra dhe dyshimet reciproke vazhdonin pa u pakësuar, shumica e militantëve në IRA ishin për vazhdimin e negociimit për vendosjen apo së paku zgjedhjen e një armëpushimi afatgjatë. Kokëfortët ishin më shumë të motivuar nga temperamenti sesa nga dallimet ideologjike. Ishte pastaj një bërthamë e ashpër e njerëzve të rinj (Armata Vijuese Irlandeze), terroristësh profesionalë, pasi që në moshë të re ata ishin revolucionarë profesionistë në tërë Evropën. E tillë ishte jeta e tyre dhe i vetmi profesion që ata e dinin. Çfarë do të bënin ata kur paqja do të vendoset? Prandaj, vendimi për ta vrarë liderin e terroristëve protestantë brenda burgut Mejz të Belfastit shpiu në një rund të ri të aksioneve terroriste.

Pasi që nuk kishte shumë gjasa që në vendosjen e paqes të gjitha kërkesat e ekstremistëve do të përputhen, kishte një arsye për të supozuar se së paku një terrorist do të vazhdojë luftën. Kjo do të ishte një përsëritje e ngjarjeve të vitit 1921, kur militantët vazhduan të luftojnë pas marrëveshjes me Londrën për ta formuar shtetin e lirë irlandez. Ata janë mposhtur vetëm pas luftës civile, e cila i kishte drejtuar luftëtarët e lirisë irlandeze, shokët e erës së armëve, në luftë kundër njëri-tjetrit. Natyrisht, ky skenario nuk ishte i kufizuar vetëm në Irlandë; ajo shfaqej pothuaj në të gjitha kapmanjat terroriste. Do të ketë gjithmonë ca ultra të pakënaqur me të arriturat politike, ca të etur për të luftuar. Por, votat në Irlandën Veriore në pranverë të vitit 1998 treguan qartë se shumica e katolikëve kërkonte fundin e konflikteve të armatosura dhe se shumica e protestantëve, megjithëse jo në të njëjtën masë, ndante ndjenjat e tyre. Por, marrëveshja e paqes vazhdohet me sulmin më të përgjakshëm në tërë historinë e konflikteve, të kryer nga një grup i cili e cilësonte veten si “IRA e vërtetë”. Se a do të zgjasë paqja, kjo nuk mund të parashikohej me saktësi. Por, më 1999 terrorizmit në Irlandë i erdhi fundi, pas bisedimeve të gjata dhe intervenimit të presidentit amerikan, Klinton (Clinton), dhe të kryeministrit britanik, Bler (Blair).

ETA DHE PROBLEMET E SAJ

Paralelet në mes të IRA-s dhe ETA-s baske mund të tërhiqen në shumë aspekte: të dyjat janë të motivuara nga entuziazmi i madh, ndonëse grupet paraqitnin vetëm pakicën në mesin e komunitetit të tyre. Kundërshtimi bask kundër asaj që ata e cilësojnë si shtypje nga centralistët e Madridit, nis në shekullin XIX e ndoshta edhe më herët. Nacionalizmi bask është shtypur me sukses nga gjenerali Franko (Franco) dhe përdersia aktet e para të sabotimit u paraqitën kur Franko ishte ende gjallë (katastrofa hekurudhore më 1961), kampanja kryesore filloi vetëm pasi që diktatori ka vdekur dhe shumë militantë baskë janë liruar nga burgjet. Admirali Karero Bianko (Carrero Blanco), trashëgimtari i Frankos, është vrarë; më 1979 janë kryer 82 vrasje politike, 88 në vitin në vazhdim. Terrorizmi bask, përkundër kundërpërgjigjeve, vazhdoi deri në vjeshtën e vitit 1998, megjithatë në shkallë më të vogël sesa më herët.

ETA ka arritur koncensione të konsiderueshme politike, por suksesi nuk ishte i mjaftueshëm për të kënaqur nacionalistët. Qëllimi i ekstremistëve mbeti shteti i pavarur bask. Por, realiteti demografik, sidomos fakti se baskët janë pakicë në rajonet e tyre, tregoi se kjo mund të arrihet vetëm me spastrim etnik, me shpërnguljet e jobaskëve, apo gatishmërinë e tyre për t’u bërë baskë. Kjo do të nënkuptonte transformimin e luftës kundër qeverisë spanjolle në luftën kundër njerëzve spanjollë dhe, po ashtu, edhe kundër shumicës baske e cila nuk i përkiste ideologjisë së ETA-s (semitrockiste në vitet 1970 dhe në fillim të viteve 1980 dhe ultranacionaliste në vitet 1990). Krahu politik i ETA-s fitoi 12 për qind të votave në Baski në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1996, në krahasim me 14 për qind të votave të fituara në zgjedhjet e mëparshme. Nga të vetëquajturit revolucionarët antikolonialistë, antikapitalistë, antiimperialistë, ETA u shndërrua në një lëvizje të pastër nacionaliste, e cila përkrahte programet sociale që nuk dallonin në thelb nga ato të partive spanjolle.

Vala e madhe e terrorizmit të ETA-s u paraqit në vitet 1978-80, sidomos sa i përket numrit të viktimave. Pas kësaj, ndonëse numri i militantëve është shtuar, numri i vrasjeve është zvogëluar. 5 vrasje ndodhën në vitit 1996 dhe 12 më 1997, krahasuar me mesataren e viteve 1970-95 që ishte më e lartë se 20 (ETA dallohet nga IRA për involvimet e saj në kidnapime, për çka IRA kishte shumë pak prirje).

Perspektivat e ETA-s duket se zbeheshin. Ajo me të madhe ka humbur bazat e saj në Francë, pas një marrëveshjeje mes qeverive të Francës dhe Spanjës. Nuk kishte dashamirësi për ta në mesin e spanjollëve dhe as nuk kishte tentime për të krijuar një gjë të tillë. Sidoqoftë, ETA ende ka përkrahje te pakica fanatike në rajonet e tyre. Përfundimisht, zgjidhja politike mund të gjendet; kjo pa dyshim se do të shpie në ndarje, si në rastin e IRA-s, pasi që ultranacionalistët nuk mund të arrinë tërë atë që duan. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Turqia ndalon të gjithë tregtinë me Izraelin për shkak të luftës në Gaza - vjen reagimi i Tel Avivit

Turqia ndalon të gjithë tregtinë me Izraelin për shkak të luftës në Gaza - vjen reagimi i Tel Avivit

Botë
Ndërpriten mijëra fluturime - Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Ndërpriten mijëra fluturime - Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Botë
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Lufta në Ukrainë nuk duket se do të përfundojë së shpejti – paralajmëron shefja e inteligjencës kombëtare amerikane

Lufta në Ukrainë nuk duket se do të përfundojë së shpejti – paralajmëron shefja e inteligjencës kombëtare amerikane

Botë
Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Evropa
Zelensky tregon se kush janë ftuar në samitin e paqes në Zvicër

Zelensky tregon se kush janë ftuar në samitin e paqes në Zvicër

Botë
Kalo në kategori