LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Reflektimi i Kurtit në raport me luftën e UÇK-së, duhet kuptuar drejt

Haradinaj: Reflektimi i Kurtit në raport me luftën e UÇK-së, duhet kuptuar drejt

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka komentuar deklaratat e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se reflektimi i Kurtit në raport me luftën e UÇK-së, duhet kuptuar drejt, transmeton Telegrafi.


“Reflektimi i Kurtit në raport me luftën e UÇK-së, duhet kuptuar drejt, sado që dikujt nuk i pëlqen, mendoj se kjo është edhe e vërteta e luftës sonë për liri, pra UÇK ishte populli e populli ishte UÇK.

Mediat që po i japin hapësirë të shtuar sakrificës së popullit tonë, dhe krimeve serbe të kryera mbi ne, meritojnë një respekt të madh”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Ndryshe, ditë më parë, kreu i LVV-së, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për aktakuzat e ish-krerëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykatën Speciale.

Kurti ka thënë se Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale, njëherë UNMIK-un, Tribunalin e Hagës pastaj EULEX-in, por kjo fundit në Hagë, thotë se është me speciale – të cilën e cilëson si të padrejtë dhe të njëanshme.

“Jo çmimin e lirisë por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani – në njërën anë UÇK-ja është lënë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës, ndërkaq kjo gjykatë që iu sipër vendos shtetit me votat e 82 deputetëve, u pranua të bëhet pjesë e Kosovës përmes amandamentimit të Kushtetutës me 3 gusht 2015.

Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup Kriminal përbrenda, apo siç e quajnë ata ndërmarrje kriminale. Prokuroria e ka gabim s’ka pasur strukturë paralele kriminale, lajmi për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së nuk është i vërtetë”, kishte thënë Kurti.

Kujtojmë se javë më parë, Specialja ka konfirmuar aktakuzat për katër ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Që të katërtit kanë bërë paraqitjen e parë para Speciales, ata janë deklaruar të pafajshëm për krimet që pretendon kjo gjykatë./Telegrafi/