Haziri paralajmëron veprime për bashkëpunimin LDK–LVV: Nesër nis përmbushja e kërkesës së dytë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se menjëherë pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut në krye të partisë do të rinisin veprimet për diskutimet lidhur me bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.
Pas përfundimit të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, Haziri tha se Abdixhiku tash duhet të rikthejë autorizimin për të vazhduar me “kërkesën e dytë”, të cilën ai e cilësoi si të rëndësishme për tejkalimin e situatës politike në vend.
“Abdixhiku nesër e rikthen autorizimin për kërkesën e dytë, e që është po aq e rëndësishme, për bashkëpunimin dhe përfundimisht thyerjen e këtij çarku të mbyllur politik në të cilin ka hyrë Kosova”, ka deklaruar Haziri.
Ai tha se LDK-ja do të angazhohet për, siç u shpreh, përfaqësimin e interesit të Republikës, qytetarëve dhe të subjektit që ai përfaqëson.
“Nga nesër e tutje në mënyrën e njëjtë duhet të përballohet edhe përmbushja e kërkesës së dytë”, shtoi Haziri.
Duke folur për mundësinë e një bashkëqeverisjeje me Vetëvendosjen, nënkryetari i LDK-së tha se çdo marrëveshje duhet të bazohet në tri parime kryesore.
Sipas tij, parimi i parë është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, “për të gjitha ose asgjë”, ndërsa i dyti lidhet me agjendën shtetërore, politikat sektoriale dhe programin qeverisës. Parimi i tretë, sipas Hazirit, është ndarja e përgjegjësive në përputhje me dy pikat e para.
“Marrëveshje për të gjitha ose asgjë; kriter i dytë agjenda shtetërore, politikat sektoriale, programet qeverisëse dhe e treta ndarja e përgjegjësive konform të dy të parave”, tha ai.
Kuvendi i LDK-së të enjten rikonfirmoi Lumir Abdixhikun në pozitën e kryetarit të partisë, pas iniciativës për shkarkimin e tij të udhëhequr nga disa figura brenda subjektit.
Para këtij procesi, Abdixhiku kishte zhvilluar një takim me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me mundësinë e formimit të institucioneve. Sipas raportimeve të mëhershme, mes dy liderëve ishte arritur një marrëveshje në parim, por negociatat u pezulluan pas zhvillimeve të brendshme në LDK dhe mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm./Telegrafi/







































