Hapje e çmendur e Botërorit: Tre kartonë të kuq dhe fitore e Meksikës ndaj Afrikës së Jugut


Meksika ka bërë një start ideal në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Afrikën e Jugut me rezultat 2-0 në ndeshjen hapëse të Grupit A.
Përballja e zhvilluar para një atmosfere elektrizuese u dominua në pjesën më të madhe nga skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre, e cila tregoi më shumë cilësi në fazën sulmuese dhe shfrytëzoi në maksimum momentet vendimtare të takimit.
Meksikanët kaluan në epërsi shumë herët, duke realizuar golin e parë që në minutën e nëntë të ndeshjes përmes Julian Quinones që realizoi për 1-0.
Goli i hershëm i dha qetësi vendasve, të cilët kontrolluan ritmin e lojës gjatë pjesës së parë.
Pak para pushimit, Quinones ishte pranë golit të dytë për Meksikën, por goditja e tij e bukur nga brenda zonës u ndal nga shtylla e djathtë.

Momenti që ndryshoi plotësisht rrjedhën e takimit erdhi në minutën e 49-të, kur Yaya Sithole u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër. Afrika e Jugut mbeti me dhjetë lojtarë dhe misioni i saj u bë shumë më i vështirë.
Me epërsinë numerike në fushë, Meksika rriti presionin dhe gjeti golin e sigurisë në minutën e 67-të.
Roberto Alvarado dhuroi një asistim të shkëlqyer me një harkim të saktë në zonë, ndërsa Raul Jimenez realizoi me kokë për rezultatin 2-0.
Deri në fund të ndeshjes nuk pati ndryshim rezultati, me Meksikën që administroi me qetësi epërsinë dhe siguroi tre pikët e para në këtë Kupë Bote./Telegrafi/




































