eksperti-banner

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, ka bërë thirrje për unitet brenda partisë, duke theksuar se LDK-ja duhet të fokusohet në reflektim dhe jo në përplasje të brendshme.

Në një reagim publik, Hadergjonaj ka thënë se LDK-ja nuk duhet të përfshihet në ndarje apo fajësime, por të tregojë maturi dhe përgjegjësi politike.


“Të dashur simpatizantë, votues dhe struktura të LDK-së, LDK-ja sot ka nevojë për reflektim të thellë, jo për fajësime; për unitet, jo për ndarje; për urtësi, maturi e mençuri, jo për përplasje të panevojshme”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se vendi po përballet me krizë të gjatë politike dhe institucionale, ndërsa sipas tij, LDK duhet të fokusohet në forcimin e rolit të saj shtetformues.

“LDK-ja nuk e ka luksin të merret me përçarje të brendshme apo me beteja personale… ka obligim ndaj historisë së saj dhe qytetarëve që të jetë e bashkuar dhe e përgjegjshme”, ka thënë Hadergjonaj.

Sipas tij, energjitë politike duhet të orientohen drejt zgjidhjeve dhe jo thellimit të ndasive brenda partisë.

“LDK-ja do të vazhdojë të ruajë dhe të mbrojë vlerat e saj burimore… Kosova ka nevojë për një LDK të fortë dhe të bashkuar”, ka theksuar ai.

Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh dhe diskutimesh të brendshme në LDK lidhur me drejtimin politik të partisë. /Telegrafi/