Greqia ashpërson kursimet


Projektligji në tërësi u votua nga 154 deputetët e pozitës, kurse neni kritik 137 për kontratat e punës nga 153. Kundër tij veç 144 deputetëve të opozitës votoi dhe ish ministrja e Punës Lluka Kaceli, e cila me vendim të kryeministrit u përjashtua nga grupi parlamentar. “Pas vendimeve që shpresoj se do të merren edhe për ne por edhe për Eurozonën duhet patjetër të ndërmerren nisma politike. Ka vajtur tek s'mban më” deklaroi Vaso Papandreu, nga kuadrot historikë të socialistëve që pranoi të votojë pro pas takimit me kryeministrin.
Vdekja e një demonstruesi në spital e rëndoi dhe më tepër atmosferën e elektrizuar nga incidentet dhe shkatërrimet e mëdha në sheshin para parlamentit dhe rrugëve përreth nga sulmi i të rinjve me maska me bomba molotov, llozë dhe copa mermeri kundër demonstruesve të Partisë Komuniste. Pati përleshje trup me trup dhe u lënduan 70 vetë. Sheshi u mbyt nga lëndët kimike të policisë që bëri dhe 23 ndalime dhe gjashtë arrestime. /Telegrafi/



































