eksperti-banner

Skocia ka regjistruar fitore minimale 1-0 ndaj Haitit në ndeshjen e parë të Grupit C të Kupës së Botës 2026, duke marrë vendin e parë në renditje pas raundit hapës.

Skuadra e Steve Clarke ishte më kërkuese gjatë pjesës më të madhe të takimit dhe krijoi rastet më të mira për shënim.


Mundësia e parë e madhe erdhi në minutën e 17-të, kur Scott McTominay goditi shtyllën pas një aksioni të bukur të skocezëve.

Presioni i vazhdueshëm u shpërblye në minutën e 28-të. Pas një aksioni sulmues, topi përfundoi te John McGinn, i cili goditi nga skaji i zonës dhe, falë një devijimi, mposhti portierin Johny Placide për rezultatin 1-0.

Pak sekonda më parë, Che Adams kishte qenë pranë golit, por portieri haitian reagoi mirë për të mbajtur skuadrën e tij në lojë.

Haiti pati momentet e veta, veçanërisht në pjesën e parë. Në minutën e 34-t, Ruben Providence depërtoi në zonë dhe provoi portën, por Angus Gunn bëri një pritje të shkëlqyer. Edhe tentativa pasuese e Frantzdy Pierrot nuk solli rezultat.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra disi, por rastet nuk munguan. John McGinn ishte pranë golit të dytë në minutën e 73-të, por goditja e tij kaloi ngjitur me shtyllën.

Nga ana tjetër, Haiti ishte shumë afër barazimit në minutën e 85-të. Carlens Arcus dërgoi një krosim perfekt në zonë, ndërsa Frantzdy Pierrot goditi me kokë, por topi kaloi vetëm pak centimetra pranë shtyllës së majtë.

Pavarësisht përpjekjeve të haitianëve në minutat e fundit, Skocia arriti ta ruajë avantazhin dhe të sigurojë tri pikë shumë të rëndësishme në start të turneut.

Pas ndeshjeve të para, Skocia kryeson Grupin C me tri pikë. Brazili dhe Maroku ndajnë vendin e dytë me nga një pikë pas barazimit 1-1 mes tyre, ndërsa Haiti mbetet në fund të renditjes pa pikë. /Telegrafi/

telegrafi sport app