Gary Lineker ka dalë në mbrojtje të Arsenalit pas humbjes 2-1 ndaj Manchester Cityt në “Etihad”, duke hedhur poshtë pretendimet se skuadra e Mikel Artetës “u dorëzua” në garën për titullin e Ligës Premier.

Goli i fitores nga Erling Haaland e afroi Man Cityn në vetëm tre pikë diferencë nga Arsenali, ndërsa kampionët në fuqi kanë edhe një ndeshje më pak. Megjithatë, Lineker beson se gara është ende e hapur dhe se Arsenali ka arsye për optimizëm.


Duke folur në podcastin The Rest is Football, ish-sulmuesi anglez theksoi se gjithçka mund të vendoset deri në fund, madje edhe me diferencë golash.

“Nuk është e pamundur që gjithçka të vendoset nga diferenca e golave dhe është shumë, shumë afër. Është fantastike për neutralët, sepse e do që të shkojë sa më afër fundit".

"Më vjen pak keq për Arsenalin, po kalojnë një periudhë të vështirë, por janë ende në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe kanë shumë për të luajtur. Ata ende mund ta fitojnë titullin”, deklaroi Lineker.

Ai insistoi se është shumë herët për të thënë se Arsenali do ta “hedhë” titullin dhe se paraqitja ndaj Man Cityt tregoi karakter.

“Shumë njerëz do të thonë: ‘Arsenali është dorëzuar’. Ende mund të jetë një sezon i paharrueshëm për ta. Unë nuk do t’i bashkohem asaj rryme që thotë se do ta humbin patjetër. Është shumë herët për këtë. Ata treguan diçka, edhe pse nuk u shkoi mbarë – mund të kishte qenë ndryshe”, shtoi ai. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app