LAJMI I FUNDIT:

Gabimet politike që krijojnë lider shpirtëror

Gabimet politike që krijojnë lider shpirtëror

Ditën kur ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr. Sali Berisha, ndau mendjen se do të arrestonte nën akuzën për korrupsion Fatos Nanon, ish-lider i Partisë Socialiste, atë ditë ishte në vizitë zyrtare në Tiranë presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Në takimin që ndodhi më 30 korrik të vitit 1993 në Vilën 131, presidenti Rugova kundërshtoi fuqishëm Berishën dhe kërkoi me ngulm nga ai që të mos bënte gabimin fatal, i cili do t’i kushtonte atij dhe shtetit shqiptar. Sipas Rugovës, e majta shqiptare e cila për gjysmë shekulli e kishte shndërruar Shqipërinë në ferr, arrestimi do ta shndërronte shefin e Partisë Socialiste në lider shpirtëror dhe partia e tij do të bëhej lidere në Shqipëri.


Para se të nisej për Kosovë, Rugova mori njëfarë premtimi nga Berisha se nuk do të bënte një gabim të këtillë. Berisha nuk e mbajti fjalën. Ende pa mbërritur eskorta e Rugovës në pikën kufitare në Qafëthanë, Berisha dha urdhër të arrestonte Nanon në Tiranë!

Lideri i Partisë Socialiste u dënua me 12 vjet burg. Nga dita kur Nano u burgos, strukturat dhe anëtarësia e Partisë Socialiste nisën ta ndjejnë si lider shpirtëror. U bë më i ndikueshëm për Partinë Socialiste nga burgu se kur ishte i lirë dhe vepronte brenda strukturave të saj. Nano as në Burgun 313, as më vonë në Burgun e Bënçës nuk qëndroi duarkryq. Disa nga udhëheqësit e Partisë Socialiste, të cilët kishin planifikuar që në një rast të mundshëm ta hiqnin qafe nga kreu i partisë, për habinë e të gjithëve nisën ta vizitojnë rregullisht në burg.

Nano në Burgun e Bënçës jetonte si bos. I vinin ushqimet dhe rakia më e mirë nga strukturat e partisë. Lexonte libra e dëgjonte radiostacionet më prestigjioze, për të qenë i informuar me ngjarjet politike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kur e vizitonte udhëheqja e Partisë Socialiste, pa praninë e policëve i përcillte deri jashtë rrethojave të burgut! Nga Burgu i Bënçës riorganizoi Partinë Socialiste, pastaj mobilizoi ish-sigurimsat dhe krejt në fund disejnoi skelet e skemave piramidale. Kur ndodhën trazirat e marsit në vitin 1997, u tha se u fal nga një amnisti e përgjithshme nga presidenti shqiptar, dr. Sali Berisha. Më shumë se nga mëshira e Berishës, Nano nga burgu doli vet.

Gabimet e pandalshme gjatë muajve të fundit nga ana e Qeverisë dhe dy partnerëve të koalicionit në Kosovë, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me shpejtësi marramendëse mund ta shndërrojnë në lider shpirtëror. Dikush mund të thotë se autori i këtyre radhëve ka huqur pozitën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti është më i fuqishëm aktualisht si anëtar i thjeshtë i Lëvizjes Vetëvendosje se kur zyrtarisht ishte shef i saj.

Vendimi i paanalizuar mirë midis partnerëve të koalicionit dhe mungesa e dialogut midis partive politike në Kosovë, si dhe ideja që dialogu të zëvendësohet me ndjekje e burgosje të deputetëve, është vendimi më fatal për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Për aq sa koalicioni i madh dhe Kabineti qeveritar kujton se Albin Kurti është zhdukur nga Prishtina, si kurrë më parë hija e tij është e pranishme në sheshet e saj.

Shefi i Qeverisë, Isa Mustafa duhet ta lë mllefin mënjanë dhe t’i thërras mendjes. Duhet të krijojë klimë dialogu dhe të njëjtën kohë t’i korrektojë gabimet e rënda në Kabinetin qeveritar. Nuk mund të këshillohesh nga djemtë dhe vajzat e miqve pa ide dhe vizione për shtetin. Janë pikërisht fëmijët e atyre miqve të tij, të cilët në një të kaluar jo të largët në planin politik e kanë dëmtuar rëndë Kosovën. Nuk mund të ketë qeverisje të suksesshme me ish-drejtorë të Komunës së Prishtinës. Janë pikërisht këta njerëz me të cilët ka pësuar dështimin e madh gjatë qeverisjes lokale në Prishtinë.

Më keq se kjo, mbi shpinën e këtyre ish-drejtorëve rëndojnë mëkate të mëdha. Nuk mund të qeverisësh me ministra që nuk fituan as vota të mjaftueshme, as morën mandatin nga Këshilli i Përgjithshëm, as nga Grupi Parlamentar i partisë që e udhëheq Mustafa. Këta ministra e zëvendësministra me simbolikën e votave të fituara në zgjedhjet e fundit nacionale, janë duke e parë fundin e tyre politik. Pikërisht për këtë, as ndjejnë përgjegjësi për gjendjen e rëndë politike, as dëshmuan sukses në qeverisje. Nuk mund të udhëhiqen suksesshëm kompanitë dhe korporatat që janë resurse strategjike të shtetit, me militantë partiakë e struktura të ish-Lidhjes Komuniste. Këta njerëz dhe këto struktura i ka vrarë ndjenja e ndërgjegjes dhe moti i ka brejtur ndryshku i kohës.

Më në fund të gjithë jemi dëshmitarë të gabimeve të rënda në Marrëveshjen për Demarkacionin. Marrëveshja tjetër për Asociacionin e komunave serbe, është tema më e frikshme për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ndjekja e deputetëve përmes policisë dhe mungesa e dialogut midis partive politike, është si të vendosësh Kosovën mbi qerre të djallit dhe ta shtyshë pamëshirshëm drejt ferrit.

Zoti Ynë që je në qiell, falna mëkatet tona për të ardhmen e fëmijëve tanë…