Fundi i një epoke: Reed Hastings jep dorëheqjen si CEO i Netflix

Bashkëthemeluesi i Netflixit, Reed Hastings, po largohet nga kompania dhe nga posti i kryetarit të bordit drejtues të platformës së transmetimit “streaming”, të cilën e themeloi gati tre dekada më parë. Hastings (65) nuk do të kandidojë për rizgjedhje në mbledhjen vjetore të aksionarëve në qershor dhe synon t’i përkushtohet filantropisë dhe aktiviteteve të tjera, thuhet në një letër drejtuar investitorëve, raporton HuffPost.
Largimi i Hastingsit vjen në një moment kur kompania po përballet me ngadalësim të shitjeve për shkak të konkurrencës së fortë dhe po kërkon burime të reja rritjeje. Kjo ndodh gjithashtu pasi në shkurt dështoi edhe një bashkim potencialisht transformues me Warner Bros Discovery. Pas lajmit për largimin e tij, aksionet e Netflixit ranë me rreth 9%.
Netflix, të enjten, parashikoi edhe fitim për aksion në tremujorin aktual nën pritjet e analistëve, si dhe rritjen më të ngadaltë të të ardhurave tremujore në 12 muajt e fundit, sipas të dhënave të LSEG. Megjithatë, parashikimi vjetor i kompanisë mbeti i pandryshuar, ndërsa në një letër 14-faqëshe për aksionarët u konfirmua se strategjia aktuale vazhdon: ofrimi i filmave dhe serialeve për shije, kultura dhe gjuhë të ndryshme.
Hastings e shndërroi Netflixin nga një kompani që merrej me qira të DVD-ve në një gjigant global të transmetimit, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si shpërndahen filmat dhe serialet televizive. Ai e udhëhoqi kompaninë edhe nëpër vendime të dështuara, si ai i vitit 2011 për ta ndarë biznesin e DVD-ve në shërbimin Qwikster (që zgjati pak), por edhe gjatë pandemisë, kur Netflix shënoi rritje të madhe ndërsa kompani të tjera të argëtimit përballeshin me vështirësi.

Sipërmarrësi krijoi edhe një kulturë të veçantë pune në Netflix, të fokusuar në performancë, në një periudhë krize kur u thanë burimet e financimit për startup-et online dhe kompania u detyrua të largonte nga puna një të tretën e stafit. Sipas tij, ky “pastrim”, ku mbetën vetëm më të mirët, solli rritje të menjëhershme të produktivitetit dhe vendosi themelet e asaj që më vonë u quajt “mënyra e Netflixit”, siç e përshkroi në librin e tij “No Rules Rules”.
“Kontributi im i vërtetë në Netflix nuk ishte një vendim i vetëm, por ndërtimi i një kompanie që të tjerët mund ta trashëgojnë dhe ta përmirësojnë”, shkroi Hastings të enjten.
Bashkëdrejtori ekzekutiv i Netflixit, Ted Sarandos, e vlerësoi udhëheqjen e Hastingsit, duke thënë se ai krijoi një kompani që nuk i frikësohet rrezikut dhe një kulturë ku karakteri ka rëndësi dhe ku synimi është gjithmonë përsosmëria. “E kam shijuar punën me Reedin dhe për Reedin nëpër kthesat e jashtëzakonshme të biznesit tonë. Ai tregoi çfarë do të thotë të jesh udhëheqës dhe mik”, tha Sarandos.
Analisti i mediave, Richard Greenfield nga LightShed Partners, deklaroi se “largimi i Reed Hastingsit i ka trembur investitorët”.
Ndërkohë, bashkëdrejtori ekzekutiv Greg Peters tha se Netflix e mbylli vitin e kaluar me mbi 325 milionë abonentë dhe se argëton një audiencë prej gati një miliard njerëzish. “Edhe me këto shifra, kemi ende shumë hapësirë për rritje në tregun tonë të synuar”, u shpreh ai.
Të ardhurat e kompanisë në tremujorin e parë u rritën me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 12.25 miliardë dollarë, pak mbi parashikimet e analistëve. Fitimi për aksion u rrit në 1.23 dollarë, krahasuar me 66 cent në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Kompania nuk bëri të ditur se si planifikon t’i shpenzojë 2.8 miliardë dollarët e kompensimit që ka marrë pas dështimit të marrëveshjes së bashkimit me Warner Bros.
Nga Netflixi, ku blerja e Warner Bros ishte përshkruar prej kohësh si diçka “që do të ishte mirë ta kishin, por jo e domosdoshme”, u theksuan edhe fushat e ardhshme të rritjes. Sipas kompanisë, investimet në podkaste me video dhe në argëtim live, si transmetimi i World Baseball Classic në Japoni, po rrisin angazhimin e përdoruesve.
Po ashtu, Netflix planifikon të përdorë teknologjinë për të përmirësuar përvojën e përdoruesit dhe mënyrat e monetizimit, ndërsa të ardhurat nga reklamat pritet të arrijnë në 3 miliardë dollarë në vitin 2026, që është dyfish më shumë se një vit më parë. /Telegrafi/





























































