Filmi “Dua” i regjisores kosovare Blerta Basholli ka fituar çmimin prestigjioz “SACD” në kuadër të seksionit “Semaine de la Critique” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Ky vlerësim ndahet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë dhe konsiderohet një nga çmimet më të rëndësishme autoriale në Francë.


Pas marrjes së çmimit, Basholli u shpreh se ky sukses ka rëndësi të veçantë, pasi filmi bazohet në një rrëfim shumë personal.

Ajo theksoi se procesi i shkrimit të skenarit ka qenë sfidues, ndërsa përzgjedhja e filmit në mesin e vetëm shtatë projekteve nga mbi 1050 aplikime e bën arritjen edhe më të madhe.

Premiera e filmit në Kanë u prit me duartrokitje të gjata nga publiku. Regjisorja tha se një nga frymëzimet kryesore të filmit është lufta e adoleshentëve për të mbrojtur ëndrrat dhe dinjitetin e tyre edhe në kohë konflikti.

“Dua” rrëfen jetën e një adoleshenteje në Kosovën e kohës së luftës dhe sjell në fokus ëndrrat, frikërat dhe përpjekjen për të ruajtur humanitetin në rrethana të vështira.

Pas suksesit në Kanë, filmi ka marrë ftesa edhe nga festivale të tjera ndërkombëtare. /Telegrafi/