Lionel Messi ka ngritur alarmin te Inter Miami dhe Argjentina vetëm 18 ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026, pasi nuk arriti ta përfundojë ndeshjen e fundit para turneut.

Ylli 38-vjeçar u zëvendësua në minutën e 73-të në duelin e MLS ndaj Philadelphia Union, të cilin Inter Miami e fitoi me spektakël 6–4 të dielën mbrëma. Messi sinjalizoi drejt pankinës se kishte nevojë për ndërrim, ndërsa u pa duke kapur pjesën e pasme të këmbës pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi.


Ai doli shpejt nga fusha dhe më pas u drejtua me nxitim në tunelin e lojtarëve, duke hyrë në dhomat e zhveshjes në stadiumin e ri të klubit, Nu Stadium.

Deri tani nuk ka një raport zyrtar mjekësor për gjendjen e tij, por shqetësimi është i pashmangshëm duke pasur parasysh afërsinë e Botërorit. Pas ndeshjes, Messi dhe shoku i tij i skuadrës te Miami, Rodrigo De Paul, pritej t’i bashkoheshin kampit përgatitor të Argjentinës në Kansas City më 1 qershor. Të dy kishin nisur tashmë stërvitje shtesë për t’u përgatitur për turneun, krahas angazhimeve të zakonshme me Inter Miami.

Messi, i cili do t’i mbushë 39 vjeç në mes të Botërorit, ende nuk është deklaruar publikisht nëse do të marrë pjesë. Sipas raportimeve, ai kishte planifikuar ta linte vendimin “në momentin e fundit” për të parë “nëse mund të jetë 100%”, ndërsa kjo dëmtim i fundit mund t’ia komplikojë situatën. Nëse rezulton serioz, ndeshja e tij e fundit në Kupë Bote do të mbetej finalja historike ndaj Francës në Katar, ku Argjentina fitoi trofeun.

Ndërkohë, përzgjedhësi Lionel Scaloni ende nuk e ka publikuar listën prej 26 lojtarësh për Botërorin. Ajo raportohet se do të shpallet mes 28 dhe 30 majit, ndërsa afati final për të gjitha kombëtaret është 2 qershori. Argjentina më pas luan miqësore përgatitore ndaj Hondurasit dhe Islandës më 6 dhe 9 qershor, përpara se ta hapë Botërorin kundër Algjerisë më 16 qershor.

Për momentin, prania e Messit në Botëror nuk është vënë zyrtarisht në dyshim, pasi stafi i Inter Miami nuk ka dhënë ende konfirmim apo diagnozë.

Trajneri i përkohshëm i Inter Miami, Guillermo Hoyos, deklaroi pas ndeshjes se beson që bëhet fjalë për lodhje, e ndikuar edhe nga terreni i rënduar për shkak të shiut. Ndërkohë, raportime të tjera sugjerojnë se ndërrimi ishte thjesht masë paraprake, pasi Messi ndjeu shtrëngim në muskul.

Kujtojmë se Messi kishte pësuar një dëmtim të rëndë në kyçin e djathtë në Kupën e Amerikës 2024 dhe luajti vetëm 66 minuta në finale, ku Argjentina mposhti Kolumbinë dhe fitoi trofeun.

Pavarësisht këtij episodi, Messi ka qenë në formë të jashtëzakonshme këtë sezon, pa asnjë sinjal rënieje. Fituesi i dyfishtë radhazi i çmimit MLS MVP ka regjistruar 13 gola dhe 7 asistime në 16 paraqitje në të gjitha garat, duke u konsideruar favorit edhe për MVP-në e vitit 2026.

telegrafi sport app