LAJMI I FUNDIT:

Formacioni më i mirë i javës së tetë në Superligën e Kosovës në futboll

Formacioni më i mirë i javës së tetë në Superligën e Kosovës në futboll

Java e tetë në elitën e futbollit kosovar ka qenë shumë interesante.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita është rikthyer te fitoret pasi ka triumfuar 4-1 në shtëpi ndaj Drenicës.


Fitoren e parë këtë javë e realizoi edhe Llapi pasi në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ mposhti Arbërinë 2-0, ndërsa Gjilani fitoi derbin ndaj Prishtinës në kryeqytet 0-2.

Besa vazhdoi me befasi, teksa këtë javë e ndali Feronikelin në barazim 1-1.

Ndeshja më interesante e xhiros padyshim që u zhvillua në stadiumin ‘Riza Lushta’ të Mitrovicës, ku Trepça ’89 bëri njërin nga rikthimet më të mëdha në histori të futbollit kosovar.

‘Minatorët’ ishin duke humbur 0-3 nga lideri Ballkani, por në 25 minutat e fundit të ndeshjes rikthyen gjithçka për ta fituar takimin 4-3.

Si gjithnjë Telegrafi edhe këtë xhiro ka zgjedhur 11 lojtarët dhe trajnerin më të mirë të kësaj jave.

Portieri:

Gjilani fitoi me rezultat të pastër 0-2 te Prishtina, por sigurisht që njëri nga më meritorët për këtë triumf të tyre ishte portieri Enea Koliqi. Gardiani shqiptar bëri disa pritje jashtëzakonisht të mira, ndërsa arriti ta ndalte edhe penalltinë e Endrit Krasniqit.

Mbrojtja:

Kësaj radhe reparti defensivë vjen me tret mbrojtës të qendrës të cilët shfaqën formë të lartë. Ardian Limani i Dritës ka lënë mbrapa lëndimin dhe është rikthyer për të luajtur. Kapiteni ishte në nivel në ndeshjen ndaj Drenicës në repartin defensivë, teksa bëri punë të mirë edhe në ofensivë kur depërtoi bukur dhe asistoi në golin e katërt.

Kroati Ivan Fustar gjithashtu ka bërë një ndeshje të madhe ndaj Prishtinës. Qendërmbrojtësi me përvojë të madhe disa herë largoi rrezikun nga zona e tij, ndërsa e ndali për mrekulli sulmuesin e rrezikshëm prishtinas Oto John. Mbrojtësi i tretë që futet në formacionin e javës është Agon Xhaka i Besës së Pejës i cili bëri ndeshje të madhe ndaj Feronikelit ku ndalën ish-kampionin në barazim 1-1.

Mesfusha:

Këtë xhiro vjen e mbingarkuar, por me futbollistë që shkëlqyer me skuadrat e tyre. Bujar Shabani shënoi me Dritën dhe bëri ndeshje të mirë në repartin defensivë. Ndërkohë Besar Musolli po vazhdon të tregojë se është njëri nga mesfushorët më të mirë në kampionat. Ylli i Gjilanit shkëlqeu ndaj Prishtinës duke qenë më i dalluari në mesfushë. Rilind Nimani bëri ndeshje të madhe për Trepçën ’89 duke shënuar edhe golin e dytë, por edhe ishte fantastik në krah me depërtimet e tij.

Talenti i Besës, Etnik Brruti shënoi një gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë ndaj Feronikelit dhe ishte rreziku kryesor për skuadrën nga Drenasi. Brruti zë vend në formacionin e javës falë paraqitjes fantastike ndaj ‘Industrialistëve’. Ndërkohë në krahun e djathtë është Edion Kqiku. Talenti gjilanas është lojtari më në formë i ‘Skifterave’ dhe këtë e dëshmoi edhe ndaj Prishtinës. Kqiku që këtë edicion po luan në pozitën e tij natyrale si sulmues krahu po shkëlqen, ndërsa në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ishte më i miri në fushë duke fituar penalltinë dhe duke asistuar tek goli i dytë.

Sulmuesit:

Ahmed Januzi ka shënuar golin e parë me fanellën e Llapit dhe sigurisht që ishte tejet i rëndësishëm. Sulmuesi vushtrrias bëri ndeshje shumë të mirë ndaj Arbërisë duke i siguruar skuadrës së tij fitoren e parë në kampionat.

Charles Sie Bismark sigurisht që ka vend në formacionin më të mirë të javës, pasi ishte hero i Trepçës ’89 në duel me Ballkanin. 19-vjeçari realizoi het-trik në këtë duel derisa asistoi në golin e Rilind Nimanit për fitoren e pabesueshme të ‘Minatorëve’.

Trajneri i javës:

Shpëtim Idrizi padyshim që merr epitetin e trajnerit të javës së tetë në Superligë. Ishte duke pësuar humbje 0-3 nga lideri, por arriti që ta motivoj skuadrën dhe me zëvendësimet e duhura të rikthejë ndeshjen në favorin e tij. Idrizi bëri zëvendësimet në momentin e duhur dhe rezultuan të qëlluara, pasi lojtarët e inkuadruar në fushë dhanë jashtëzakonisht kontribut të madh për rikthimin e rezultatit. /Telegrafi/