Java e 13-të në elitën e futbollit kosovar ka përfunduar me disa rezultate mjaftë interesante.

Ballkani ka triumfuar në udhëtim te Feronikeli për të vazhduar kryesimin në Ipko Superligën e Kosovës.

E fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Gjilani që ka mbajtur hapin si skuadra ndjekëse e Ballkanit.

Fitore tejet të rëndësishme ka shënuar Flamurtari, ku para adhuruesve të vet mposhti Dritën me rezultat minimal 1-0.

Ndërsa tek tri pikët është kthyer edhe Llapi pas triumfit 1-0 ndaj Drenicës e Trepça ’89 që ka mposhtur Vushtrrinë me rezultat identik.

Ndeshja e vetme që përfundoi baras këtë javë ishte ajo mes Dukagjinit dhe Prishtinës 0-0.

Telegrafi si gjithnjë ka zgjedhur edhe 11shen më të mirë të kësaj jave në elitën e futbollit kosovar.

Portier

Armend Ruxhi ka qenë fantastik në përballje me Feronikelin. 33-vjeçari pati disa intervenime fantastike duke ruajtur portën e tij të paprekur. Falë pritjeve të Ruxhit, fitorja e Ballkanit ishte më komode ndaj kampionit në fuqi Feronikelit 0-2.

Mbrojtja

Mbrojtja kësaj radhe vije me katër, me Besnik Krasniqin në krahun e djathtë që e ndaloi për mrekulli Mendurim Hotin e Feronikelit. Krasniqi përpos që ishte i pakalueshëm në mbrojtje bëri edhe disa depërtime në fazën e sulmit. Në krahun e majtë është Denis Haliti që bëri një ndeshje të madhe ndaj Prishtinës. Haliti tregoi lojë të mirë në fazën defensive ndërsa për pak sa nuk shënoi golin e fitores për Dukagjinin.

Në qendër të mbrojtjes është bullgari i Flamurtarit Granchov që ishte i pakalueshëm ndaj Dritës, ndërsa në krah të tij ndodhet Xhelil Abdulla i Llapit që ishte fantastik në përballjen ndaj Drenicës.

Mesfusha

Ishte kapiten i Gjilanit ndaj Ferizajt dhe shkëlqeu në fushë. Muhamed Useini ishte organizatori i gjitha aksioneve të bardhekuqve dhe loja e tij e mirë në fund u shpagua me fitoren e Gjilanit 4-0.

Krahas Useinit si mesfushor qendror ndodhet Mentor Zhdrella. Kapiteni ishte fantastik për Llapin duke shënuar edhe golin e vetëm në fitoren minimal 1-0 ndaj Drenicës.

Mesfusha nuk ka hijeshi pa Blendin magjik të Ballkanit. 21-vjeçari i vetëm e mposhti kampionin në fuqi me dy golat e shënuar. Baftiu përveç dy golave të shënuar pati edhe disa pasime e driblime fantastike ku u duartrokit nga tifozët e pranishëm në stadium.

Sulmi

Fiton Hajdari padyshim ishte më meritori për triumfin e Gjilanit 4-0 ndaj Ferizajt. Sulmuesi llapjan realizoi het-trik në këtë sfidë duke rikthyer ekipin e tij te fitoret.

Në qendër të sulmit ndodhet heroi i Flamurtarit në përballje me Dritën, Torivoll Stullqaku. Sulmuesi qendror shënoi golin e vetëm për skuadrën kryeqytetase duke e kthyer atë te fitoret pas tetë sfidave.

Formacioni më i mirë i javës përmbyllet me top sulmuesin e Trepçës ’89, Arb Manaj i cili i siguroi edhe një tre pikësh skuadrës së tij. Klinasi realizoi golin e vetëm për ‘Minatorët’ në fitoren 1-0 ndaj Vushtrrisë.

Trajneri i javës:

Sunaj Keçi do t’i prijë formacionit më të mirë të javës. Tekniku prishtinas arriti që ta kthej Flamurtarin te fitorja pas tetë xhirove, duke mposhtur Dritën në kryeqytet. /Telegrafi/