LAJMI I FUNDIT:

FMN-ja kërkon reformë substanciale për pensionet e veteranëve

FMN-ja kërkon reformë substanciale për pensionet e veteranëve

50 milionë euro në vit është vija e kuqe që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka referuar të shpenzojë Qeverisë së Kosovës për të gjithë pensionet që hyjnë në skemën, të ndërlidhur me luftën, në vitin 2017, raporton KTV.

Duke e parë me seriozitet trendin e rritjes së numrit të veteranëve të papunë, FMN-ja ka parashikuar se më shumë se 70 milionë euro do të duhen për pensionet e veteranëve të luftës dhe kjo shumë, sipas tyre, nuk është e qëndrueshme.


Në një komunikim elektronik, FMN-ja i ka pranuar Kohavisionit se janë pajtuar me Qeverinë që të alokohen mjete shtesë, sepse është rritur lista e veteranëve të luftës.

Por, ajo që për FMN-në është e paqëndrueshme, mbetet fakti se në Buxhetin e 2017-s, Qeveria do të duhet të llogarisë 70 milionë euro vetëm për këtë kategori.

Fondi Monetar ka referuar një reformë, e cila jo vetëm që do të mund të gjenerojë kursimet e nevojshme, por edhe të sjellë shpenzimet në një nivel të qasshëm, si dhe të krijojnë skema më të drejta dhe më efikase.

FMN-ja pret që Qeveria ta përkrahë këtë reformë. FMN-ja më tej ka sqaruar se në Kosovë është që të ofrojë këshilla dhe përkrahje për reforma me qëllim që të ruhen financat publike e jo të imponohen zgjidhje të veçanta, e as të krijojnë konsensuse artificiale politike që mund të gjenerojnë probleme në të ardhmen.