Barcelona do ta mbyllë një tjetër sezon mbresëlënës kur të përballet me Valencian në “Mestalla” të shtunën.

Skuadra e Hansi Flick e ka siguruar tashmë titullin e La Ligas, ndaj në këtë ndeshje do të luajë vetëm për krenari dhe kjo është reflektuar edhe në përzgjedhjen e lojtarëve për udhëtimin në jug.


Gjatë verës, një numër lojtarësh të Barcelonës do të udhëtojnë drejt Kupës së Botës, ndërsa për dy prej tyre mendja tashmë mund të kalojë te turneu në Amerikën e Veriut.

Kjo sepse Hansi Flick ka vendosur t’i lërë jashtë skuadrës për ndeshjen ndaj Valencias të shtunën Jules Kounde dhe Raphinha, sipas Mundo Deportivo.

Në rastin e Kounde, mungesa nuk është surprizë. Ai mungoi në stërvitjen e së premtes dhe Flick konfirmoi në konferencën para ndeshjes se reprezentuesi i Francës po menaxhohet fizikisht në prag të Kupës së Botës 2026, e cila nis pas pak javësh.

Sa i përket Raphinhas, ai ka pasur një sezon të vështirë sa i përket lëndimeve, ndaj është marrë vendimi që të mos rrezikohet aspak përpara angazhimit të tij me Brazilin në Botëror.

Flick ka vendosur të mos thërrasë asnjë zëvendësues për dy mungesat, gjë që nuk përbën problem te Kounde, pasi Eric Garcia dhe Xavi Espart konsiderohen alternativa të afta.

Por në sulm, mungesa e Raphinhas do të thotë se vetëm katër sulmues do të udhëtojnë drejt “Mestalla”: Roony Bardghji, Marcus Rashford, Ferran Torres dhe Robert Lewandowski, i cili do të zhvillojë paraqitjen e tij të fundit me Barcelonën përpara largimit, pasi kontrata i skadon./Telegrafi/

telegrafi sport app