Fjalët e para të Ronaldinhos pasi iu rikthye sërish futbollit në moshën 46-vjeçare

Ronaldinho ka mbërritur në Ravenna për të nisur kapitullin e tij të pazakontë në futbollin italian.
Legjenda braziliane zbarkoi në aeroportin e Forlìt, përpara se të udhëtonte drejt qytetit të Romagnës, si një prej transferimeve më të papritura të klubit në vitet e fundit.
Sipas Corriere dello Sport, braziliani është “bindur nga miqësia dhe pasioni”, gjë që është konfirmuar edhe nga presidenti i klubit, Ignazio Cipriani, organizata e të cilit ka në radhët e drejtuesve edhe ish-drejtorin sportiv të Milanit, Ariedo Braida.
Cipriani, i cili e ka udhëhequr personalisht marrëveshjen dhe shpreson që “Dinho” të zbresë të paktën edhe një herë në fushë në moshën 46-vjeçare, ka thënë se braziliani “u dashurua me projektin” dhe se bëhet fjalë për “një operacion të dizajnuar për ta afruar të gjithë qytetin me ekipin”.

Ronaldinho nuk e ka fshehur entuziazmin për këtë aventurë të re.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, me miqtë e mi. Shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë për ekipin. Kam ardhur këtu për të ndihmuar, për t’i emocionuar lojtarët e tjerë, për të pasur një sezon spektakolar dhe për të fituar”.
I pyetur për të reflektuar mbi periudhën e tij të mëparshme në Itali, te Milani, Ronaldinho veçoi një moment mbi të tjerët.
“Koha ime në Itali? Kam pasur shumë momente të mira, por goli në derbi është një prej kujtimeve që më jep më shumë kënaqësi”, përfundoi braziliani./Telegrafi/













































