eksperti ad

Tre persona kanë humbur jetën nga asfiksia, pasi mijëra tifozë mbushën rrugët e Ciudad de Mexico për të festuar kualifikimin e kombëtares në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës.

Sekretariati i Shëndetësisë i kryeqytetit meksikan bëri të ditur se tragjedia ndodhi pranë monumentit të famshëm Angel of Independence, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të festuar fitoren 2-0 të Meksikës ndaj Ekuadorit në fazën e 1/32 së finales.


"Pas përpjekjeve të avancuara për reanimim, është konfirmuar vdekja e një burri 44-vjeçar dhe e një gruaje 19-vjeçare si pasojë e asfiksisë", njoftuan fillimisht autoritetet shëndetësore përmes rrjeteve sociale.

Më vonë, Sekretariati konfirmoi edhe viktimën e tretë, një grua 48-vjeçare, e cila kishte pësuar asfiksi në një rrugë pranë zonës së festimeve. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t'u mbijetojë plagëve.

Kryetarja e bashkisë së Ciudad de Mexico, Clara Brugada, u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave përmes një postimi në rrjetin social X, duke u bërë thirrje qytetarëve që "festimet të shoqërohen gjithmonë me përgjegjësi, kujdes dhe empati".

Mijëra meksikanë dolën në rrugë pasi kombëtarja e tyre i dha fund një pritjeje 40-vjeçare për një fitore në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Triumfi ndaj Ekuadorit në stadiumin "Azteca" siguroi kalimin e bashkëorganizatorëve të turneut në 1/16 e finales.

Atmosfera festive, e mbushur me brohoritje dhe këngë, u zbeh nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ku ekipet e emergjencës dhe paramedikët shiheshin duke u dhënë ndihmën e parë personave të shtrirë në tokë në rrugët pranë zonës së festimeve.

Zona metropolitane e Ciudad de Mexico, me mbi 20 milionë banorë, është një nga më të populluarat në botë dhe është mësuar me grumbullime masive njerëzish, por kësaj radhe festa u shndërrua në tragjedi./Telegrafi/

telegrafi sport app