“Festa e Abetares” mbahet në Mitrovicë, pjesëmarrje nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka organizuar manifestimin tradicional mbarëkombëtar “Festa e Abetares”, i cili këtë vit është mbajtur në Mitrovicë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve arsimore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në këtë aktivitet u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e arsimit, kulturës dhe ruajtjes së gjuhës shqipe.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se Mitrovica ka rol të veçantë simbolik dhe se fëmijët janë baza e së ardhmes së vendit.
“Mitrovica është zemra e Kosovës, ndërsa fëmijët janë shpirti i një kombi”, ka deklaruar Peci, duke theksuar rëndësinë e dijes dhe të leximit në ndërtimin e së ardhmes.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Organizativ në kuadër të MASh-it, Avni Rexha, tha se “Festa e Abetares” organizohet tash e 14 vite me radhë dhe se përfaqëson një nga ngjarjet më domethënëse për arsimin shqip.
Ai theksoi se Abetarja e përbashkët Kosovë–Shqipëri, e hartuar në kuadër të marrëveshjeve ndërmjet dy ministrive të arsimit, ka ndikuar në forcimin e unitetit gjuhësor, kulturor dhe arsimor ndërmjet shqiptarëve.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Shkëlqim Allgaj, vlerësoi rëndësinë historike dhe kombëtare të gjuhës shqipe, duke thënë se “Festa e Abetares” është simbol i ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë kombëtare.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit nga Maqedonia e Veriut, Mjellma Gashi, përgëzoi nxënësit për angazhimin dhe suksesin e treguar në këtë etapë të parë të rrugëtimit arsimor, duke theksuar se fëmijët janë e ardhmja e shoqërisë.
Gjatë manifestimit, nxënësit prezantuan programe artistike dhe kulturore, duke shfaqur talentin dhe përkushtimin për gjuhën shqipe.
Në përmbyllje të aktivitetit u përcoll mesazhi për rëndësinë e leximit, dijes dhe ruajtjes së gjuhës shqipe brez pas brezi, ndërsa u ndanë mirënjohje për shkollat pjesëmarrëse. /Telegrafi/












































