LAJMI I FUNDIT:

Faleminderit mësues

Faleminderit mësues

Në këtë datë simbolike kur me respekt e mirënjohje kujtojmë misionin tuaj të shenjtë, më shumë sesa thjeshtësisht një pohim, kujtojmë sakrificën dhe përpjekjet tuaja ndër vite prej nga me përulje dhe detyrim të përjetshëm të dalë nga sinqeriteti njerëzor, shprehim mirënjohjet tona më të thella për ju!

Të dashur mësues, jeni ju të ata që na mësuat ta duam Alfabetin tonë; jeni ju ata që na mësuat ta duam Atdheun tonë. Jeni ata që përveç dijes e vlerave më sublime, si respekti e dashuria njerëzore, na mësuat që përmes vërtetësisë së tyre të njohim edhe anën e kundërt të medaljes. Na mësuat se rruga e vetme për të arritur drejt suksesit është puna. Na mësuat se i dijshëm të quajnë vetëm atëherë kur gjithçka ke ndërtuar me punën tënde, me mundin tënd, me sakrificën tënde. Jeni ju ata që na mësuat se ka vetëm një rrugë të ndershme për t’u quajtur i suksesshëm, e ajo është rruga meritore. Jeni ju ata që edhe në kohët më të rënda për popullin shqiptar, bëtë sakrificën më sublime njerëzore: edukuat fëmijët tanë ani pse jo rrallëherë në kundërvlerë fituat vetëm satisfakcionin moral e shpirtëror, atë të mbajtjes gjallë të arsimit e kulturës shqiptare, por jetuat me ideal. Jeni ju ata që me fanatizëm e të bindur, na mësuat si duhet ruajtur gjuha amë. Ndryshe, mbase edhe nuk do të flisnim më shqip.


Kur regjimi serbomadh na dëboi me dhunë nga shkollat e institucionet tona, ishit ju ata që nuk kursyet asgjë vetëm për mbajtur gjallë shkollën shqipe. Ishin këto kohë kur ditarët me mbishkrimin Republika e Kosovës, i fshihnin në trupat tanë për të kaluar kështu çdo ditë pranë kordonëve policorë. As më pak e as më shumë, kjo ishte sfidë me jetën. Ishte detyrimi më suprem që i kishim vënë vetes, i nënshtroheshim çdo mëngjes. Madje, nuk kishte gëzim më të madh se kur arrinim gjallë në shkollën shtëpi, hynim në klasë dhe numëronim pahetueshëm nxënësit tanë për t’u siguruar se i kemi apo jo në numër, madje pa lënë të kuptojnë ata për brengën tonë, p.sh. në shkollën shtëpi e cila ndodhej në afërsi të teatrit “Dodona” (shkolla e muzikës “ Prenk Jakova” dikur ”Stevan Mokranjac”), kishim një “dërrasë të zezë” (tabelë shkumësi) ku për të shkruar në të një koleg i imi profesor i respektuar, tashmë në pension, detyrohej të ulej në gjunjë meqë tavani i shtëpisë ishte i ulët, muret ishin të vjetra dhe ishte e pamundur të veprohej ndryshe.

Ani pse jo pak kohë, punuam pa u shpërblyer edhe materialisht, por ishte entuziazmi e shpresa ajo që na mbante. Kishim synime të qarta, e dinim çfarë donim! Por, si asnjëherë më parë ndodhi ajo që pritej. Kauza jonë e përbashkët kombëtare e mbi të gjitha e sublimuar me bujarinë e pafund të mërgatës sonë shqiptare, në momentet më të rënda tha fjalën e vet. Mërgata jonë si gjithnjë me mendje e zemër nga atdheu, u mobilizua dhe u solidarizua me ne, krijoi fondin e veçantë vetëm e vetëm për të na mbajtur gjallë, e bashkë me rëndesën tonë materiale dhe arsimin shqip, mbajti lart edhe moralin tonë .

Por, nuk ishim vetëm ne mësuesit e Kosovës që mbanim gjallë shkollën shqipe; ishte edhe mësuesi i mërgatës. Ju falënderojmë nga zemra edhe juve mësues mërgimtarë! Faleminderit edhe ty mësues që Teutën e Ilirin i mësove të flasin shqip! Faleminderit edhe ty mësues që Arbërin e Dardanin i mësove se në dejtë e tyre rrjedh gjak shqiptari. Të gjithë ju mësues mërgimtarë që me zemër të përvuajtur e kokë prapa, u detyruat të braktisni atdheun tuaj, ndërkohë që sot përkundër vështirësive dhe mallit për tokën tuaj shqiptare bëni çmos që shumë bijë e bija tona falë jush të njohin rrënjët e tyre, mësoni ata se gjaku nuk është ujë dhe nuk shpërbëhet kaq lehtë!

Sot, po shtyjmë vullnetin tonë që me kusht t’ju falim edhe juve mësues të rinj, që ditë më parë na tronditët me sjelljet tuaja të rënda ndaj fëmijëve të pafajshëm. Le të jetë kjo një ditë reflektimi edhe për ju që kujtuat se të edukosh është mision i lehtë, ju që kujtuat se edukimi bëhet duke ndëshkuar.

Jo, s’bëhet kështu. S’edukohen fëmijët kështu. Mjaft na kanë dhunuar të tjerët, na kanë shtypur. Se nuk mësohet vjersha përmendësh , nuk bëhet kiameti. Mos ndëshkoni e mos abuzoni fëmijët me këso sjelljesh, lërini të flasin, lërini të shprehen, lërini të ndjehen të lirë, mjaft na kanë mbyllur gojën të tjerët. Edhe po gabuan, fëmijë janë. Le t’i mësojmë të kundërtën , se si nuk duhet gabuar, e jo si duhet ndëshkuar; nuk është ndëshkimi mjet edukues. A nuk pësuam mjaftueshëm ne shqiptarët nga mungesa e shprehjes së lirë?

Po të flisje të vërtetën ndëshkoheshe, të përndiqnin nga shteti e jashtë tij. Sot, po të flasësh sërish të ndëshkojnë, po qe i guximshëm të ndëshkojnë, madje në rastin më të mirë ngelesh edhe pa punë. Paramendoni, të ndëshkojnë edhe atëherë po s’pranove të bëhesh pjesë e klaneve shantazuese-ndëshkuese. Pra, i bie që pa u ndëshkuar nuk shpëton dot edhe po shikove punën tënde. Ndëshkimi nga i padijshmi sot është bërë mënyrë jetese, e të tillë mjerisht ka pafund. Pra, i bie që kur racionaliteti dhe e vërteta ndëshkohet, iracionalja dhe padrejtësitë bëhen model jetese, e në këtë rast pa u shpërblyer nuk mbetet edhe ai që për të “shërbyer me zell” zgjedh qoftë edhe heshtjen ndaj padrejtësisë. Po, ky është realiteti sot.

S’kanë faj fëmijët. A nuk shihni se sa të mrekullueshëm i kemi ? A nuk shihni sa të suksesshëm janë ata kur dalin në botë? A nuk shihni se bota na ka lakmi për rininë tonë? Le t’i edukojmë drejt, le t’i ofrojmë arsimimin e merituar. Le t’i punësojmë aty ku meritojnë, e t’i nxjerrim jashtë ata uzurpatorë të marrë që nuk u ngopën kurrë, ata që vetëm të meritosh nuk dinë çfarë është, ata që s’lanë gjë pa vjedhur e stërvjedhur në këtë vend.

Le t’i mbështesim këta të rinj të talentuar atëherë kur kanë nevojë më së shumti për ne, mos t’i dekurajojmë mu atëherë kur janë në kulmin dhe vrullin e vullnetit të tyre. Mos t’i lëmë të ikin, kemi nevojë për ta. Kjo është pasuria jonë më e madhe! Këto janë vlerat që mësuesit tanë dikur na i mësuan, janë vlerat e kauzës sonë kombëtare, janë vlerat e shoqërisë moderne!

Gëzuar 7 marsin, mësues të dashur!