LAJMI I FUNDIT:

​Euro arrin nivelin më të ulët kundrejt dollarit në pesë javët e fundit

​Euro arrin nivelin më të ulët kundrejt dollarit në pesë javët e fundit

Monedha e vetme e Eurozonës u ul në nivelin më të ulët të pesë javëve kundrejt dollarit, ndërsa valuta amerikane arriti një nivel të ri pesë javor kundrejt një shporte rivalësh të mëdhenj.

Euro u vu nën presion të shtuar pasi Rusia njoftoi se do të shkurtonte furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit “Nord Stream I” për tri ditë në fund të këtij muaji për shkak të punëve të mirëmbajtjes, duke përkeqësuar krizën energjetike në rajon.


Valura evropiane ra këtë mëngjes në tregtimin aziatik në vetëm 1,0026 dollarë, herën e parë që nga 15 korriku, pas së cilës u rikuperua lehtë në 1,0040 dollarë.

Indeksi i dollarit, i cili mat vlerën e dollarit kundrejt një shporte prej gjashtë monedhash kryesore botërore, u rrit sot në fillim të seancës aziatike në 108.26 pikë për herë të parë që nga 15 korriku, përpara se të binte në 108.12 pikë.

Dollari u rrit 2.33 për qind javën e kaluar, performanca e tij më e mirë javore që nga prilli 2020, pasi një numër në rritje i zyrtarëve të Rezervës Federale të SHBA (FED) mbronin vazhdimin e shtrëngimit të politikës monetare agresive për të frenuar inflacionin që po arrin rekord 40-vjeçar.

Funta britanike kishte një lëvizje të vogël dhe po tregtohej me 1,18325 dollarë, jo shumë larg nga niveli i ulët i tij pesë-javor prej 1,17925 dollarësh. /Telegrafi/