EsDeeKid në Sunny Hill 2026, ndërsa misteri rreth identitetit të tij vazhdon: A fshihet Timothée Chalamet pas maskës?


Një nga emrat më intriguese që do t’i bashkohet edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival 2026 është reperi misterioz britanik EsDeeKid, identiteti i të cilit vazhdon të mbetet i panjohur.
Teksa festivali po afron dhe emrat e artistëve pjesëmarrës tashmë janë konfirmuar, interesimi për EsDeeKid është rritur edhe më shumë, jo vetëm për muzikën e tij, por edhe për teoritë që qarkullojnë prej muajsh se pas maskës së tij mund të fshihet aktori i njohur hollivudian Timothée Chalamet.
Spekulimet nisën pasi Chalamet interpretoi Bob Dylan në filmin A Complete Unknown (2024), ku tregoi edhe aftësitë e tij vokale. Më pas, rrjetet sociale u mbushën me teori se ai mund të jetë artisti anonim EsDeeKid, i cili nuk e ka zbuluar asnjëherë fytyrën e tij.
Kur u pyet drejtpërdrejt për këto zëra gjatë një interviste në emisionin britanik Heart Breakfast në dhjetor të vitit 2025, aktori zgjodhi të mos i shuante spekulimet.
"Gjithçka do të zbulohet në kohën e duhur", u përgjigj ai në mënyrë enigmatike.
EsDeeKid pretendon se vjen nga Liverpooli dhe pothuajse në çdo paraqitje publike shfaqet me fytyrën e mbuluar me maskë, duke e bërë identitetin e tij një nga misteret më të mëdha të skenës muzikore britanike.
Që nga publikimi i albumit debutues "Rebel", reperi ka arritur mbi 11 milionë dëgjues mujorë në Spotify dhe më shumë se 600 mijë ndjekës në Instagram, duke u shndërruar në një fenomen global.
Fansat besojnë se pas maskës mund të jetë Timothée Chalamet kryesisht për shkak të ngjashmërisë së syve të tyre, por edhe sepse aktori njihet prej kohësh si adhurues i muzikës hip-hop dhe rap.
Dyshimet u shtuan edhe më shumë në gusht të vitit 2025, kur Chalamet u pa në një koncert të artistit Fakemink, bashkëpunëtor i EsDeeKid në këngën "LV Sandals".
Megjithatë, ekzistojnë edhe fakte që hedhin poshtë këtë teori. Sipas raportimeve, EsDeeKid performoi në Milano më 9 tetor 2025, ndërsa po atë mbrëmje Chalamet ishte i pranishëm në premierën speciale të filmit Marty Supreme në New York, duke e bërë praktikisht të pamundur që të ishte në të dyja vendet njëkohësisht.
Edhe pse nuk e ka konfirmuar kurrë lidhjen me EsDeeKid, Chalamet nuk e ka fshehur pasionin e tij për muzikën rap. Ai ka deklaruar më parë se Kid Cudi është artisti i tij i preferuar, ndërsa vite më parë u bë viral me alter egon "Lil Timmy Tim", pasi interpretoi rap gjatë një aktiviteti në shkollën e mesme LaGuardia në New York.
Madje, kur u pyet për këtë pseudonim gjatë intervistës në Heart Breakfast, aktori bëri shaka duke thënë:
"Më besoni, 'Lil Timmy Tim' nuk tingëllon aq mirë sa dikur".
Ndërkohë, me afrimin e Sunny Hill Festival 2026, ku EsDeeKid do të jetë një nga emrat që do të ngjitet në skenë, misteri rreth identitetit të tij vetëm sa po bëhet edhe më i madh. Mbetet të shihet nëse performanca në Prishtinë do të sjellë ndonjë surprizë apo nëse artisti do të vazhdojë ta ruajë sekretin që ka pushtuar rrjetet sociale dhe fansat në mbarë botën. /Telegrafi/














































