LAJMI I FUNDIT:

Esat Pashë Toptani siç nuk e kemi njohur

Esat Pashë Toptani siç nuk e kemi njohur

Preç Zogaj

Esat Pashë Toptanin, kryeministrin e tretë të shtetit shqiptar, pas Ismail Qemalit dhe Turhan Pashës, e kemi njohur apo më saktë e kemi bartur në klishetë tona për historinë si tradhtar të kombit. Edhe kur ky njeri, pinjoll i një prej familjeve të njohura shqiptare, përfundonte në mugun e harresës si dikush për të cilin nuk kujtohet më kurrkush, ai kthehej e rikthehej vazhdimisht si fantazmë në skenën e edukimit patriotik të brezave ku vritej nga Avni Rustemi.

Në këtë kuptim, teatri dhe kinematografia e realizmit socialist e kishin shndërruar atë në një personifikim të së keqes, rreth së cilës nuk ka njohje por vetëm verdikte, etiketa. Për inerci, figura e tij ka vazhduar të lëshojë edhe më vonë pluhurin e tradhtisë sa herë është dashur të përmendet, domethënë të goditet.

Klishetë e mia për Esat Pashën si tradhtar i tronditi për herë të parë këtu e njëzet e ca vjet më parë një libër i vogël monografik i Idriz Bashës, publicist i shquar i emigracionit tonë politik në Francë dhe Bruksel gjatë viteve të regjimit komunist. I thashë Idrizit çfarë shijeje ka të shkruash për një tradhtar dhe ai ma ktheu me tolerancën e tij karakteristike se historia nuk vë verdikte kësisoj.

Njëzet e ca vjet më vonë kam në duar një libër shumë më të plotë për Esat Pashë Toptanin, monografinë voluminoze prej 570 faqesh, “ Njeriu, lufta, pushteti”, shkruar nga studiuesi dhe publicisti i shquar Ilir Ikonomi, dhe botuar nga UETPress. Është monografia e tretë në radhë nga e njëjta penë. Në dy të mëparshmet për Faik Konicën dhe Ismail Qemalin, Ilir Ikonomi goditi në shenjë duke krijuar përmes hulumtimeve të thelluara, rrëfimit të paanshëm, formës tërheqëse dhe dhe stilit didaskalik një shije të re leximi për libra të këtij lloji. Në librin e tretë për Esat Pashën ai ka guxuar më shumë dhe duket qartë se ka punuar edhe më shumë, rreth katër vjet, duke qenë i vetëdijshëm se po shkonte në kundërrjedhë me verdiktet e përjashtimit dhe damkosjes përfundimtare që ka dhënë historiografia komuniste për Esat Pashë Toptanin.

Nga mënyra si e ka shkruar librin të krijohet përshtypja se Ikonomi nuk e ka zbuluar Esatin në kuptimin që të këtë bërë një plan për ta nxjerrë nga ndëshkimi dhe paragjykimet, për ta zbardhur apo rehabilituar. Ai nuk e njeh fare këtë qëllim të fundit në studimet e tij. Kam përshtypjen se i ka dalë përpara Esati në ato hulumtimet e tij për historinë, e ka gjetur pra ashtu siç nuk e kemi njohur dhe në këtë lloj kontakti është ngjizur ideja e tij për të shkruar një libër për këtë personazh kompleks e të ndërlikuar.

Mendoj se është motivuar si krijues prej fakteve të panjohura mes të cilëve është gjendur, që i ka pasuruar pastaj duke shkuar pas fillit të tyre. Lidhur me këtë, më duket se është motivuar edhe nga një mendësi rivendikuese dhe një koncept i ri për shkrimin e historisë që as rehabiliton, as shpall tradhtar, por tregon, ekspozon, rrëfen, dhe gjykon kur duhet, me masë, me metrin e vet specifik te fakteve dhe konteksteve konkrete.

Monografia “Njeriu, lufta pushteti” sjell fakte dhe dokumente të reja, të panjohura, që ndriçojnë figurën e Esat Pashës në agimet e shtetit shqiptar, rolin e tij prej protagonisti si ushtarak, politikan dhe diplomat në ngjarjet me të mëdha të kohës, natyrën e një politikani pragmatist që Shqipëria ka vijuar ta prodhojë përgjatë gjithë shekullit deri në ditët tona. Këto fakte dhe ridimensionimi falë tyre i figurës së personazhit nuk se do të vlenin për ndonjë gjë për nevojat e politikës së ditës- për Esatin me sa di nuk interesohet askush- por ato i duhen kulturës së re, i duhen hapjes së mendjeve për të dalë nga dogmat dhe për të kuptuar se në instancë të fundit historia është ajo që bëjnë vetë përsonazhet e historisë me të mirat dhe të këqijat e tyre dhe ajo që shkruajnë e pretendojnë të vulosin për ta kundështarët e tyre, apo mendjet e ngushta.

Fuqia e fakteve në librin e Ikonimit shkon krah për krah me realizmin në gjykime, aty ku jepen gjykime, duke i parë ngjarjet dhe zhvillimet në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur, në rastin konkret në kontekstin e papërsërishëm të përlindjes së shtetit shqiptar në një konjukturën e fillimshekullit të kaluar.

Në morinë e fakteve të reja, autori na sjell me ngjyra të gjallë takimin e Esat Pashës në Paris me Presidentin e SHBA-ve, Willson. Presidenti nuk dinte mirë frengjisht, kurse Esati fliste me përkthyes. Ndaj, Presidenti i kërkoi Esatit t’i dërgonte një përmbledhjen të shkruar të kërkesave të tij. Ikonomi e sjell në librin e tij këtë përmbledhje. Lexuesi nuk ka si të mos habitet kur mëson se personazhi që njohim si tradhtar pritet në audiencë si askush tjetër nga figurat më të mëdha politike të kohës dhe mbron para tyre me elokuencë të madhe të drejtat e kombit shqiptar. Gjatë ditëve të Konferencës së Paqes Esati ishte në Paris si “fuqi” paralele e delegacionin zyrtar shqiptar. Ai ka gjetur mbështetës për t’u pritur nga Presidenti. Ai ka dashur sigurisht të krijojë avantazh politik ndaj rivalëve nga Shqipëria.

Kështu ka qenë historia. Arrivizmi, ambiciet, rivalitetet, lufta për pushtet është mbështjellë rreth patriotizmit. Kështu është edhe sot.

“Gjykimi i ngjarjeve duke u nisur nga pasojat të çon në gabime të tmerrshme”, thotë në një ese të famshme Rajamond Aron. Kjo është një sentencë e thellë dhe e hollë, nga ato që shërbejnë për të themeluar e mbajtur drejtësinë në gjykimin e ngjarjeve dhe njerëzve që i mishërojnë ato. Në vendin tonë përgjatë dekadave është ngulitur një mënyrë të menduari që ngatërron gabimin me tradhtinë, pasojën me qëllimin, zgjedhjen politike dhe rezultatin e saj me qëndrimin ndaj atdheut. Për shkak të këtyre ngatërresave elementare ne kemi kaq shumë tradhtarë që nga fillimet e shtetit e deri në rënien e regjimit komunist, tradhtarë që rëndom kanë qenë të mundurit apo te humburit në një betejë apa kauzë, të cilët janë shpallur të tillë nga fitimtarët.

Sa vulnerabël është e gjithë kjo. Nuk mund të themi se këtë vulnerabiltet e gjejmë në çdo gjykim që është dhenë për Esat Pashë Toptanin. Edhe në librin e Ikonomit Esati del një arrivist i verbër që në një moment të caktuar i bëhet pengesë konsolidimit të shtetit shqiptar. Forca e ngjarjeve do ta nxjerrë nga skena. Por “t’i japim Çezarit çfarë i takon Çezarit” dhe t’i japim të vërtetës vendin që ka. Këtë thotë në çdo faqe libri i Ikonimit, duke sjellë plotësime dhe rishikime me interes të figurës së Esat Pashë Toptanit dhe një mori personazhesh të tjerë historikë bashkëkohës.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Premier League
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Kalo në kategori