LAJMI I FUNDIT:

Erdogan pritet të takohet me Putinin në Astana

Erdogan pritet të takohet me Putinin në Astana

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën, më 12 tetor.

Takimi do të zhvillohet në margjinat e një samiti rajonal që do të mbahet në Astana të Kazakistanit, tha një zyrtar i Turqisë për AFP-në.

Turqia, që ka qëndruar neutrale përgjatë konfliktit në Ukrainë, ka raporte të mira me Rusinë dhe Ukrainën.

Erdogan ende nuk ka dënuar sulmet masive ajrore që goditën qytetet në mbarë Ukrainën më 10 tetor.

Nga këto sulme u vranë të paktën 19 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.

Por, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba, pas sulmeve, por nuk ka detaje nga kjo bisedë.

Erdogan u takua me Putinin në margjinat e një samiti rajonal që u mbajt në Uzbekistan muajin e kaluar.

Ai ende shpreson që mund të bëjë bashkë Putinin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në bisedime të paqes.

Turqia insiston se bisedimet e paqes janë thelbësore dhe gjasat që ato të mbahen janë reale.

Turqia, që është anëtare e NATO-s, nuk u është bashkuar sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt.

Erdogan po ashtu është i përkushtuar që të rrisë tregtinë me Moskën, teksa po tenton që të stabilizojë ekonominë e Turqisë para se të kandidojë edhe për një mandat të ri në zgjedhjet e qershorit.

Muajin e kaluar, Ankaraja u përball me presion nga Shtetet e Bashkuara dhe konfirmoi se tri bankat e fundit që ende kryenin shërbime bankare për rusët, do të ndalonin këtë praktikë. /rel/