nuk është më trajner i Eintracht Frankfurtit. Spanjolli u largua pas vetëm 14 ndeshjesh në stolin e klubit gjerman, teksa Eintracht njoftoi se ndarja u bë me marrëveshje të ndërsjellë.

Gjatë mandatit të tij, Riera regjistroi katër fitore, pesë barazime dhe pesë humbje. Eintracht e mbylli sezonin në vendin e tetë në Bundesligë dhe nuk do të luajë në garat evropiane sezonin e ardhshëm.


“Ramë dakord të dyanshëm se kishte ardhur koha për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë. Si trajner, marr përgjegjësinë për rezultatet. Detyra ime ishte të mbroja ekipin dhe të arrija sukses. Nuk do të ndryshoja asgjë. Qëllimi im ishte të zhvilloja lojtarët. Jam mirënjohës që kam qenë pjesë e historisë së Eintrachtit dhe i uroj klubit gjithë të mirat në të ardhmen”, ka thënë Riera pas largimit.

Raportime për përplasje me lojtarët

Riera kishte mbërritur në Frankfurt në muajin shkurt si pasardhës i Dino Toppmöller (45) dhe ishte shoqëruar me reputacionin e një trajneri të ashpër. Sipas raportimeve, brenda pak muajsh ai është përplasur me disa lojtarë kyç, me sulmuesin Jonathan Burkhardt që përmendet si rasti i fundit.

Po ashtu, në publik kanë qarkulluar disa histori rreth stilit të tij të menaxhimit dhe marrëdhënieve me median. Në një konferencë të fundit për shtyp, Riera i kishte hedhur poshtë këto raportime, duke thënë: “Është gjithçka e pakuptimtë”.

Sukseset para Eintrachtit

Riera kishte ndërtuar emër të mirë si trajner në Slloveni. Ai fitoi “dopietën” me Olimpija në sezonin 2022/23 dhe më pas u dallua me Celjen, ku sezonin e kaluar fitoi Kupën dhe arriti deri në çerekfinale të Ligës së Konferencës.

Pavarësisht interesimit nga klube të tjera, spanjolli pranoi ofertën e Eintrachtit dhe mori drejtimin e skuadrës gjermane pas shkarkimit të Toppmöller.

Si futbollist, Riera e nisi karrierën te Bordeaux në vitin 2003 dhe dy vjet më vonë u transferua te Espanyol. Në vitin 2006 u huazua te Manchester City, ndërsa kulmin e karrierës e pati te Liverpooli, ku luajti 56 ndeshje nga viti 2008 deri më 2010 nën drejtimin e Rafa Benitez.

Koha e tij në “Anfield” përfundoi me polemika, pasi në vitin 2010 Benitez e pezulloi atë pas kritikave publike, kur Riera e kishte quajtur Liverpoolin “një anije që po fundoset”. Më pas ai luajti për Galatasaray, Olympiacos, Watford, Udinese dhe Mallorca, përpara se ta mbyllte karrierën në vitin 2016. /Telegrafi/

telegrafi sport app