SV Elversberg ka realizuar ëndrrën më të madhe në historinë e klubit dhe do të luajë në Bundesligë sezonin e ardhshëm. Në ndeshjen e fundit të sezonit në 2. Bundesligë, skuadra nga fshati mposhti 3-0 Preussen Münsterin – ekip që tashmë kishte rënë nga kategoria – duke e mbyllur kampionatin me një fitore bindëse dhe me festë të madhe në “Kaiserlinde”.

Elversberg, një vend i vogël me rreth 7.800 banorë (komuna Spiesen-Elversberg numëron rreth 12.800), bëhet klubi i 59-të në historinë e Bundesligës.


Po ashtu, është klubi i katërt nga Saarlandi që arrin elitën gjermane pas Saarbrückenit (i fundit në 1993), Homburgut dhe Borussia Neunkirchenit.

Dominim total dhe tre gola për ngjitjen

Saarlanderët nuk i lanë asgjë rastësisë. Ekipi i Vincent Wagner e rriti ritmin që në start dhe e zgjidhi ndeshjen praktikisht brenda pak minutash.

Bambase Conté shënoi golin e parë nga afër në minutën e 11-të, duke ndezur euforinë në stadium. Vetëm katër minuta më vonë, Mokwa e dyfishoi rezultatin pas asistimit të Contés, duke realizuar për 2-0 në minutën e 14-të.

Ishte një moment i veçantë për Mokwan, i cili ishte titullar për herë të parë që nga mesi i shkurtit dhe nuk kishte shënuar prej shtatë muajsh.

Elversbergu vazhdoi të ishte dukshëm superior, duke mos i dhënë asnjë shans Munsterit, ndërsa në pjesën e dytë Mokwa shënoi sërish në minutën e 62-të për ta vulosur fitoren 3-0.

Nga dështimi i vitit të kaluar te “mrekullia” e këtij sezoni

Sezonin e kaluar, Elversberg ishte ndalur në prag të Bundesligës, pa arritur ta kalonte pengesën në përballjen eliminatore (play-off) ndaj Heidenheimit.

Këtë herë, skuadra u kthye më e fortë dhe ia doli të kompletojë një ngjitje historike, duke e kthyer klubin në sensacionin e futbollit gjerman.

Xhiroja e 34-të ishte e mbushur me dramë edhe për ekipet e tjera. Elversberg, Hannover dhe Paderborn hynë në këtë javë me nga 59 pikë, duke e bërë garën për vendet e para jashtëzakonisht të tensionuar deri në minutat e fundit.

Në skenë kishte edhe duele të tjera me zhvillime të shpejta, përmbysje, autogola dhe penallti të humbura, duke e kthyer mbylljen e sezonit në një nga më emocionueset e viteve të fundit në divizionin e dytë gjerman.

Tashmë, Elversberg nis përgatitjet për debutimin në Bundesligë – një arritje që pak vite më parë do të dukej e paimagjinueshme për një klub nga një komunitet kaq i vogël. /Telegrafi/

telegrafi sport app