Ylli i Bayernit vendos 29 diamante në dy dhëmbë

Ylli i Bayern Munich, Luis Díaz, ka vendosur ta zbukurojë buzëqeshjen e tij në një mënyrë të veçantë. Futbollisti kolumbian (29) i ka bërë në atdheun e tij të ashtuquajturat “grillz”, mbulesa dekorative për dhëmbët, me gjithsej 29 diamante.
Njëri nga dhëmbët e tij tani ka 12 diamante më të vegjël, ndërsa tjetri ka 17 diamante të prera, një procedurë që sigurisht nuk i kushtoi lirë, shkruan Bild.
Puna e një dentisti kolumbian
Rezultati u zbulua në Instagram nga dentisti i tij dhe specialisti i fasetave, Daniel Zabaleta, i cili ka një klinikë në qytetin bregdetar kolumbian Barranquilla.
Në postim, pjesëmarrësi i Kupës së Botës, i cili u transferua nga Liverpooli në Mynih në korrik 2025 për 70 milionë euro, buzëqesh me krenari para kamerës.
- YouTube www.youtube.com
Trendi midis yjeve të futbollit
Anësori i Bayernit nuk është i pari që zgjedh këtë lloj zbukurimi. Shokët e tij të ekipit Michael Olise (24) dhe Alphonso Davies (25) u panë gjithashtu me “grillz” gjatë festimit të titullit në fushën e Allianz Arena.
Futbollistë të tjerë të famshëm po ashtu mbajnë dhëmbë me diamante, si yjet e Real Madridit Vinícius Júnior (25), Rodrygo (25) dhe Éder Militão (28).
Me një buzëqeshje të re në Kupën e Botës
Díaz, me zbukurimin e ri në dhëmbë, tani udhëton drejt Kupës së Botës, e cila zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Si pjesë e përgatitjeve, Kombëtarja e Kolumbisë luajti më 29 maj në Bogota kundër Kosta Rikës, ndërsa më 8 qershor në San Diego do të përballet me Jordaninë.
Kolumbia është në Grupin K në Kupën e Botës, ku do të luajë ndaj Uzbekistanit në Mexico City (18 qershor), RD të Kongos në Guadalajara (24 qershor) dhe Portugalisë në Miami (28 qershor).

Díaz do të synojë të shkëlqejë në turne, ashtu siç bëri në sezonin e tij të parë me Bayernin, ku fitoi dy trofe nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompany. Në 51 ndeshje zyrtare, ai shënoi 26 gola dhe regjistroi 23 asistime. /Telegrafi/











































