“The Best of Fisnik Asllani” – Bundesliga publikon përmbledhjen e sezonit të tij magjik

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, vazhdon të fitojë vlerësime në Gjermani pas një sezoni mbresëlënës me fanellën e Hoffenheimit.
Faqja zyrtare e Bundesligës ka publikuar së fundmi videon speciale “The Best of Fisnik Asllani”, ku janë përmbledhur momentet më të mira të sulmuesit kosovar gjatë sezonit 2025/26.
Në videon e publikuar, shfaqen golat, asistimet, lëvizjet inteligjente dhe aksionet që e kanë bërë Asllanin një nga emrat më të spikatur të Hoffenheimit gjatë këtij edicioni.
Bundesliga e përshkruan Asllanin si një futbollist që ka bërë hap të madh përpara pas periudhës së suksesshme në huazim te Elversbergu, duke u shndërruar në një armë të rëndësishme në repartin ofensiv të Hoffenheimit.
Sezoni 2025/26 rezultoi më i miri në karrierën e 23-vjeçarit deri më tani, teksa ai arriti të realizojë 10 gola në Bundesligë dhe të konfirmojë potencialin e tij si një nga sulmuesit më premtues të futbollit kosovar.

Publikimi i kësaj videoje nga Bundesliga është një tjetër dëshmi e rritjes së reputacionit të Asllanit në futbollin gjerman.
Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e mediave, tifozëve dhe klubeve të ndryshme, ndërsa sulmuesi kosovar po vazhdon të ndërtojë emrin e tij në elitën e futbollit evropian.
Videoja “The Best of Fisnik Asllani” konsiderohet një vlerësim i veçantë nga Bundesliga për sezonin fantastik të reprezentuesit kosovar, i cili po shndërrohet në një nga lojtarët më të rëndësishëm të futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/











































