Instituti Hidrometeorologjik ka bërë të ditur se në fundjavë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

IHK njofton se të shtunën vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për reshje shiu të përcjella me shkarkime rrufesh.


Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-14°C, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të arrijnë ndërmjet 25-28 C.

Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1–11m/s.

Ndërkaq, për të dielën parashihet mot i vranët dhe me intervale me diell.

Vranësirat vende-vende pritet të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 24-27°C.

Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-7m/s.

Indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, sidomos nga ora 10:00 deri në 16:00. /Telegrafi/