Endometrioza - sëmundja e padukshme që prek trupin, emocionet dhe ëndrrën për mëmësi

Dhimbja që shpesh ngatërrohet me “menstruacione normale”, endometrioza është një sëmundje kronike që prek gratë në moshë riprodhuese, ndikon në pjellori, në ekuilibrin hormonal dhe në mirëqenien emocionale, por mund të menaxhohet me diagnozë të hershme, trajtim të personalizuar dhe stil jetese të shëndetshëm
Dr. Sadbere Kamberi
Gjinekologe
Endometrioza është një sëmundje gjinekologjike beninje dhe kronike, që prek rreth 10% të grave në moshë riprodhuese. Ajo ndodh kur indi endometrial, i cili zakonisht vesh brendësinë e mitrës, fillon të rritet jashtë saj, në vezore, tubat fallopiane, fshikëz, zorrë apo në indet e legenit. Këto qeliza reagojnë njësoj si endometriumi gjatë ciklit menstrual trashen, gjakosin dhe shkaktojnë inflamacion, duke sjellë dhimbje, lodhje dhe ndonjëherë probleme me pjellorinë.
Shumë gra jetojnë për vite me këtë sëmundje pa e ditur, sepse simptomat shpesh ngatërrohen me dhimbjet menstruale “normale”. Megjithatë, endometrioza është një gjendje që mund të ndikojë në shëndetin fizik, emocional dhe riprodhues.
Si shfaqet dhe pse ndodh
Shkaqet e endometriozës ende nuk janë plotësisht të qarta, por mjekësia moderne pranon disa teori:
▪ Menstruacioni retrograd – kur gjaku menstrual lëviz në drejtim të kundërt, përmes tubave fallopiane drejt zgavrës abdominale, duke transportuar qeliza endometriale që ngjiten në organet përreth.
▪ Faktorë gjenetikë dhe hormonalë – gratë me histori familjare të sëmundjes kanë më shumë gjasa ta zhvillojnë atë.
▪ Dobësi e sistemit imunitar – qelizat e endometriozës arrijnë të mbijetojnë jashtë mitrës, sepse trupi nuk arrin t’i eliminojë ato.
▪ Ekspozimi ndaj estrogjenit – hormoni femëror që “ushqen” rritjen e indit endometrial.
Endometrioza është tipike për moshën 15–49 vjeç, periudhë kur dominon estradioli, forma më e fuqishme e estrogjenit. Ndërsa ky hormon ndihmon në rritjen normale të endometrit brenda mitrës, jashtë saj ai nxit përhapjen e sëmundjes.

Simptomat që nuk duhen injoruar
▪ Shenjat e endometriozës ndryshojnë nga një grua në tjetrën, por më të shpeshtat janë:
▪ Dhimbje të forta menstruale (dismenorre);
▪ Dhimbje gjatë ose pas marrëdhënieve seksuale (dispareuni);
▪ Dhimbje kronike pelvike ose në pjesën e poshtme të shpinës;
▪ Cikle të parregullta ose shumë të bollshme;
▪ Lodhje e vazhdueshme;
▪ Vështirësi në urinim apo dhimbje gjatë defekimit, sidomos gjatë periudhës menstruale.
▪ Në raste të avancuara, mund të shfaqen probleme me tretjen, fryrje, si dhe gjak në urinim ose jashtëqitje.
Faktorë si menstruacionet e hershme, ciklet e shkurtra, niveli i lartë i estrogjenit dhe trashëgimia familjare e rrisin rrezikun për zhvillimin e sëmundjes.
Endometrioza dhe fertiliteti
Rreth 40% e grave me endometriozë përballen me vështirësi për të mbetur shtatzënë. Shkaku kryesor janë prerjet e indeve, ngjitjet dhe “kistet çokollate” që formohen në vezore të mbushura me gjak të vjetër, që ndikojnë në cilësinë e vezëve dhe pengojnë ovulimin. Në disa raste, sistemi imunitar mund të sulmojë edhe embrionin e sapoformuar, duke penguar implantimin e tij në mitër.
Në qendrat e specializuara për fertilitet, trajtimet përfshijnë vlerësimin e rezervës ovariane, matjen e hormonit Anti-Müllerian (AMH) dhe procedura si fekondimi in vitro (IVF) me diagnostikë gjenetike paraimplantimi (DGP). Një shtatzëni e suksesshme shpesh ndikon pozitivisht, sepse gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies niveli i estrogjenit bie dhe sëmundja nuk përparon.

Roli i hormoneve dhe stresi hormonal
Ekuilibri midis estrogjenit dhe progesteronit është thelbësor. Kur estradioli është në tepricë dhe progesteroni bie (me kalimin e moshës ose gjatë stresit), ndodh e ashtuquajtura dominancë estrogjenike. Ky çekuilibër nxit zhvillimin e indeve endometriale jashtë mitrës dhe e bën sëmundjen më aktive. Në këtë proces përfshihen edhe mëlçia dhe zorrët, të cilat ndihmojnë në përpunimin e hormoneve të tepërta. Prandaj, një ushqyerje e pasur me fibra, antioksidantë dhe acide yndyrore omega-3, si edhe reduktimi i alkoolit e ushqimeve të përpunuara, janë të rëndësishme për të ruajtur balancën hormonale.
Diagnostikimi dhe trajtimi
Diagnoza e saktë kërkon një kombinim ekzaminimesh që përfshin kontrollin gjinekologjik dhe ekografinë me rezolucion të lartë, rezonancën magnetike (MRI) për të vlerësuar përhapjen e lezioneve, si dhe laparoskopinë diagnostike, e cila lejon vëzhgimin direkt dhe marrjen e mostrave për analizë histologjike.
Trajtimi varet nga mosha, simptomat dhe dëshira për shtatzëni. Ai mund të përfshijë:
▪ Terapinë hormonale për të ngadalësuar rritjen e indeve endometriale;
▪ Medikamente kundër dhimbjes dhe terapi anti-inflamatore;
▪ Kirurgjinë laparoskopike për të hequr implantet, kistet ose prirasjet;
▪ Terapinë komplementare – si akupunktura, fitoterapia dhe ushtrimet relaksuese, për të ulur stresin dhe përmirësuar cilësinë e jetës.
Në disa raste, endometrioza mund të rikthehet edhe pas trajtimit, ndaj rekomandohet kontroll periodik te mjeku gjinekolog.

Ndikimi emocional dhe marrëdhëniet në çift
Dhimbja kronike dhe pasiguria për pjellorinë mund të sjellin ankth, depresion dhe lodhje mendore. Studimet tregojnë se gratë me endometriozë shpesh përjetojnë vështirësi në marrëdhënie intime për shkak të dispareunisë, ndërsa partnerët e tyre ndjejnë pafuqishmëri dhe frustrim. Mungesa e komunikimit mund të ndikojë negativisht në jetën në çift, prandaj këshillohet bashkëbisedim i hapur dhe mbështetje emocionale reciproke.
Jetesa me endometriozë
Edhe pse është një gjendje kronike, endometrioza mund të menaxhohet me kujdes dhe me një mënyrë jetese të shëndetshme. Aktiviteti fizik i moderuar, praktikat si joga, meditimi dhe frymëmarrja e ndërgjegjshme, ndihmojnë në uljen e stresit dhe të dhimbjes. Një regjim ushqimor i pasur me perime jeshile, fruta pylli, vaj ulliri, peshk dhe drithëra integrale mund të reduktojë inflamacionin dhe të mbështesë ekuilibrin hormonal.
Si përfundim konstatojmë se endometrioza nuk është vetëm një sëmundje fizike, por edhe një sfidë emocionale dhe sociale. Kuptimi i hershëm i simptomave, diagnoza e saktë dhe trajtimi i personalizuar janë çelësi për ta mbajtur nën kontroll. Gratë që përballen me këtë sëmundje kanë nevojë për mbështetje, informim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor, sepse me qasje të duhur, mund të jetojnë mirë, të punojnë, të duan dhe të bëhen nëna. /Telegrafi/




















































