Në Komunën e Prishtinës është prezantuar një mënyrë e re për largimin e mbeturinave voluminoze nga amvisëritë, përmes një sistemi online për caktimin e termineve.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, qytetarët tashmë mund të largojnë lehtësisht mobilje të vjetra, frigoriferë të prishur dhe sende të tjera që nuk u nevojiten më, pa i lënë pranë kontejnerëve apo në rrugë.


“A ki mobilje t’vjetra, frigorifer t’prishun, tavolina a sende tjera që nuk t’duhen ma? Mos i le te kontejnerët apo në rrugë. Komuna vjen i merr falas!” ka shkruar Retkoceri.

Procesi, sipas tij, bëhet përmes platformës online mbeturinat.com, ku qytetarët zgjedhin ditën dhe caktojnë termin për marrjen e mbeturinave.

“Prej sot është shumë ma lehtë: hyn në platformën mbeturinat.com, zgjedh ditën dhe bon termin online, ekipa jonë vjen te dera me i marrë mbeturinat vëllimore,” thuhet më tej.

Shërbimi paraqitet si pjesë e përpjekjeve për një menaxhim më të organizuar të mbeturinave në kryeqytet. /Telegrafi/