Problem i kahershëm pa zgjidhje, përmbytet sërish zona afër stacionit të autobusëve në Prishtinë


Mjafton një reshje shiu që zona pranë stacionit të autobusëve në Prishtinë të përballet sërish me të njëjtin skenar: rrugë të mbuluara nga uji, qarkullim i vështirësuar dhe qytetarë të bllokuar mes kaosit.
Edhe kësaj radhe, pranë stacionit të autobusëve kanë shpërthyer ujërat e zeza, duke përmbytur një pjesë të rrugës dhe duke krijuar vështirësi të mëdha për automjetet dhe këmbësorët.
Pamjet e siguruara nga Telegrafi tregojnë rrugën e mbushur me ujë, ndërsa automjetet lëvizin me vështirësi në këtë segment. Për këmbësorët, kalimi nëpër këtë zonë është bërë pothuajse i pamundur.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që qytetarët përballen me një situatë të tillë.
Problemi me vërshimet dhe shpërthimin e ujërave të zeza në këtë pjesë të kryeqytetit vazhdon prej vitesh, pa marrë një zgjidhje përfundimtare nga institucionet përgjegjëse.
Në raste të mëhershme, reshjet intensive kanë shkaktuar bllokim të plotë të kësaj zone, ndërsa disa qytetarë kanë pësuar dëme materiale pasi automjetet e tyre kanë mbetur të bllokuara në ujë.
Pamje të ngjashme janë regjistruar vazhdimisht, duke ngritur shqetësime për gjendjen e infrastrukturës dhe kapacitetin e sistemit të kanalizimit për të përballuar reshjet.
Banorët dhe qytetarët që frekuentojnë këtë pjesë të Prishtinës vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrje konkrete, në mënyrë që një nga pikat më të frekuentuara të kryeqytetit të mos shndërrohet në zonë problematike sa herë që bie shi. /Telegrafi/




































