LAJMI I FUNDIT:

Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-90

Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-90

Historianë, studiues dhe drejtues institucionesh vendase e të huaja, u bënë pjesë e temës “Emigracioni politik shqiptar gjatë viteve 1944-1990”.

Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, e konsideroi këto lëvizje të shqiptarëve drejt vendeve fqinjë si lëvizje që u luftuan pasi rrezikonin kupolën e regjimit komunist. Sipas statistikave të dokumentuara, Sula renditi 13,600 persona që u numëruan si të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit nga 1944 deri në vitin1990, pa llogaritur ata të ikur përmes ambasadave. Mes tyre 4,784 ishin gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi në këtë përpjekje. Por, përpos gjithçkaje, në këto statistika dalin edhe rekrutimet e emigrantëve shqiptarë me Sigurimin e Shtetit.


Më tej Sula shtron se dialogu për emigracionin politik nuk do të jetë kaq i thjeshtë, sepse nga një anë janë dhimbjet, por nga ana tjetër është edhe bashkëpunimi me Sigurimin për të ruajtur familjet e tyre.

“Ka pasë bashkëpunim se ata ishin atje. Në përgjithësi, sigurimi donte që të kontrollonte personat më me influencë, por edhe organizatat politike, si ‘’Vatra apo ‘Shqipëria e lirë’”, tregon Sula.

Historiani dhe studiuesi Gjon Boriçi, tregon se janë shpenzuar shifra marramendëse nga Partia Komuniste Shqiptare për të udhëhequr këto lëvizje migratore, ku shumë prej atyre që dorëzoheshin të parët kanë qenë emigrantë që kishin familje të persekutuara në Shqipëri.

“Vendet fqinje që kishin numër më të lartë të emigrantëve janë Italia, Greqia, më pak Jugosllavia, dhe Franca. Elementi që u thye i pari ishin ata që kishin familjet e internuara”, shpjegon mes të tjerash historiani edhe studiuesi Gjon Boriçi. /Shqiptarja/