Ekskluzive: Meriton Korenica drejt transferimit në Serie A


Ylli i Kombëtares së Kosovës, Meriton Korenica, mund të bëjë hapin e madh në karrierë, duke kaluar në një nga kampionatet më të forta në botë, Serie A.
Siç ka mësuar Telegrafi, klubi italian Monza, i drejtuar nga trajneri kroat Ivan Juric, është shumë i interesuar për transferimin e futbollistit kosovar dhe palët tashmë kanë nisur bisedimet.
Monza e sheh Korenicën si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv.
Megjithatë, klubi italian nuk do ta ketë të lehtë të sigurojë shërbimet e tij, pasi gara është mjaft e fortë.

Interesim serioz për 28-vjeçarin kanë shfaqur edhe dy gjigantët e futbollit rumun, FCSB dhe Rapid Bukureshti, të cilët po monitorojnë situatën nga afër.
Gjithashtu, për futbollistin nga Rahoveci ka interesim edhe nga klube të kampionateve aziatike, por prioriteti i tij mbetet Evropa, me Serie A si destinacionin më të mundshëm.
Sezonin e kaluar, Korenica zhvilloi një edicion shumë të mirë me Clujin, ku luajti në total 50 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 12 gola dhe 9 asistime dhe duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës./Telegrafi/














































