Kohë më të keqe politike dhe diplomatike se kjo e tanishmja, nuk do të kishte gjetur dot presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili propozoi në 9 maj krijimin e një organizate të re panevropiane me emrin “Komuniteti Politik Evropian”.

Në fjalimin e tij të mbajtur në parlamentin evropian në 9 maj presidenti, Macron e paraqiti “Komunitetin Politik Evropian” si alterantivë për anëtarësimin e shteteve evropiane, të cilat aspirojnë të bëhen anëtare të BE. Macron deklaroi: “BE, sipas nivelit të integrimit dhe të ambicies, nuk mund të jetë mjeti i vetëm i strukturimit evropian. Ne duhet të krijojmë atë, që unë e quaj ‘Komuniteti Politik Evropian’. Kjo organizatë e re e Evropës do t’u lejojë shteteve demokratike të Evropës, të cilat mbështesin parimet tona kryesore, që të kenë mundësi bashkëpunimi në fushat politike, të sigurisë, energjetike, transportit, investimeve, kalimit të kufijve”.

Në komentet e tij para mediave pas fjalimit, Macroni deklaroi si kriter të bashkimit të shteteve me “Komunitetin Politik Evropian” respektimin e vlerave të përgjithshme dhe përkatësinë gjeografike në Evropë.

Me këtë kriter liberal politik të padyerve, presidenti francez përcaktoi se do të bëjnë pjesë në këtë organizatë të re të gjitha shtetet aspirante për në BE, që nga Ukraina e Gjeorgjia dhe Ballkani Perëndimor, dhe madje i bëri ftesë edhe Britanisë së Madhe, që iku nga BE, dhe madje ftoi indirekt edhe Rusinë, duke iu referuar idesë së vitit 1989 të presidentit të dikurshëm francez Mitterrand për krijimin e një konfederate evropiane, ku edhe Rusia të ishte pjesë.

Sa u takon shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, efekti i parë është se nisma e re franceze u përplas në fytyrë derën e BE-së, pavarësisht se këto shtete po punojnë prej vitesh që të plotësojnë kushtet dhe kriteret e anëtarësimit në BE. Prindi 1 i BE-së, po të përdorim kodin absurd civil francez, pra Franca, i braktisi foshnjat ballkanike, që quhen shtete kandidate të BE në Ballkan.

Është naive të besosh se kjo mbyllje dere e BE me emrin “Komuniteti Politik Evropian” ka të bëjë me Ukrainën, për të cilën presidenti francez theksoi se i duhen disa dekada të bëhet anëtare e BE, pavarësisht se Komisioni Evropian ka njoftuar që në muajin qershor t’i japë asaj statusin e shtetit kandidat të BE, që duhet thënë se është thjesht një qëndrim i përkrahjes morale, sepse nuk e pranon logjika të japësh statusin e shtetit kandidat për Ukrainën, e cila është në luftë e sipër dhe e pushtuar nga Rusia në një pjesë të madhe të territorit të saj.

Pamundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në BE presidenti francez e përdori si argumentin kryesor për të justifikuar nevojën e krijimit të një organizate të re panevropiane, duke përjashtuar nga anëtarësimi në BE edhe të gjitha shtetet kandidate dhe aspirante të BE nga Ballkani.

Kur tërhoqa vëmendjen për kohën më të keqe politike dhe diplomatike kam parasysh që agresioni rus në Ukrainë është në zhvillim e sipër dhe rendi evropian dhe ndërkombëtar i sigurisë është përmbysur. Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka krijuar të çarën apo konfliktin më të madh midis Perëndimit dhe Rusisë qysh nga mbarimi i luftës së dytë botërore dhe Rusia po kërkon me dhunë të ringjallë sferën sovjetike të influencës, duke pushtuar ushtarakisht hap as hapi territore të ish-republikave sovjetike.

Në këtë situatë, rreziku evropian del presidenti francez dhe propozon “Komunitetin Politik Evropian” si strukturë të re sigurie në kontinentin evropian, ku parashikon të bëjë pjesë edhe Rusia. Franca me këtë nismë krijon një premisë të favorshme për Rusinë, duke i shpallur se BE nuk do t’i pranojë anëtarë as Ukrainën, as Gjeorgjinë dhe as Moldavinë.

Në këtë impostim të ri strategjik francez të tre ish-republikat e mësipërme sovjetike, që aspirojnë zyrtarisht të lidhen organizativisht dhe strategjikisht me BE dhe me Perëndimin, lihen në udhëkryq. Një udhëkryq që Moska mund ta interpretojë si një pranim indirekt nga Franca të së drejtës së Rusisë mbi sferë e saj të influencës në hapësirat postsojetike.

Nisma e re e presidentit francez u cilësua në Moskë si provë e dobësisë së BE-së për t’u bërë fuqi globale dhe portali rus “Nacionalnaja slluzhba novostjej” më 9 maj, pas anketimit të tij për nismën franceze me zyrtarë të Dumës Ruse dhe të Këshillit të Federatës ruse, konkludonte që në titull: “Perëndimi i Evropës”.

Efektet direkte negative nisma franceze e mbylljes së dyerve të BE-së për anëtarësime të reja pritet të jenë më direkte dhe me të mëdha në Ballkanin Perëndimor. “Përtej Ballkanit Perëndimor ne duhet të ridimensionojmë hapësirën politike evropiane”, deklaroi presidenti francez në Strasburg, duke shprehur qartë se Ballkani Perëndimor mund të sakrifikohet për projekte të mëdha franceze.

Nisma e re e Parisit merr formën e një goditje direkte për aspiratat dhe ambiciet evropiane të shteteve dhe të popujve të Ballkanit Perëndimor për integrim evropian. Janë në rajon katër shtete kandidate në BE dhe dy shtete, që kanë hyrë në procesin zyrtar të integrimit, dhe të gjithë po presin me ankth anëtarësimin në BE. Dy shtete kandidate, Mali i ZI dhe Serbia, kanë hapur edhe bisedimet e pranimit me BE, ndërsa dy shtete kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin me padurim thjesht datën e hapjes së bisedimeve të pranimit.

Befas nga Franca, në ditën e Evropës në 9 maj, ditën fitores së koalicionit të madh antifashist botëror, vjen mandata që dera e BE mbyllet me veton franceze dhe në vend të saj u ofrohet hyrja në një organizatë politike panevropiane të quajtur “Komuniteti Politik Evropian”. Një organizate e re e paqartë, që duket identike me OSBE-në, ku bëjnë pjesë të gjitha shtetet e kontinentit, përfshirë edhe republikat aziatike ish-sovjetike.

E zbërthyer në një plan më konkret individual efekti negativ rajonal i nismës franceze pritet të shfaqet në inkurajimin e agresivitetit dhe të ambicies hegjemoniste të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Së pari, Serbia që ka hapur bisedimet e pranimit në BE dhe e cila ka deklaruar se ka si shtylla të politikës së jashtme edhe BE, edhe Rusinë, tani me nismën franceze merr argumentin që ta lerë anash BE dhe Evropën, dhe të shkojë hapur dhe zyrtarisht te Rusia.

Nisma franceze i jep fund diskutimit se në cilën karrige do të qëndrojë Serbia, sepse duke hequr karrigen evropiane, për të mbetet vetëm karrigia e Rusisë, ku ulet tani e qetë Serbia. Së dyti, nisma franceze i jep Serbisë argumentin e përligjjes së kursit të saj antievropian të refuzimit të sanksioneve të BE ndaj Rusisë.

Meqë Franca deklaron se dera e BE është e mbyllur, Serbia pretendon tani të drejtën të mos rreshtohet me politikën e jashtme të BE dhe me qëndrimet e saj ndaj Rusisë, dhe të vazhdojë refuzimin e sanksioneve antiruse të BE-së. Së treti, me nismën e re franceze Serbia fiton çlirimin e saj nga kushti i njohjes së Kosovës për anëtarësimin e saj në BE.

Serbia kishte detyrimin e kushtit të deritanishëm të BE për njohjen e Kosovës para anëtarësimit në BE, kusht që zhvleftësohet me mbylljen e dyerve të anëtarësimit në BE. Së katërti, nisma franceze përmbys bazamentin e dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE, sepse ndryshon raportet e dy shteteve me BE si dhe pakëson peshën e BE si ndërmjetëse.

Së pesti, me drynin francez të anëtarësimit në BE, Serbia merr inkurajim të madh për projektin e saj të “Ballkanit të hapur”, i cili lindi si kundërvënie ndaj BE dhe ndaj projekteve të BE për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Pritet që Beogradi të manifestojë një agresivitet më të madh, duke përdorur si pretekst drynin francez të BE për presione të reja të forta mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat me të drejtë nuk i janë bashkuar projektit të presidentit Vuçiq për integrimin serb të Ballkanit Perëndimor.

Nisma franceze e “Komunitetit Politik Evropian” pritet të dëmtojë më së shumti dy shtete të Ballkanit Perëndimor, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, të cilat nuk janë as anëtare të NATO-s, dhe kanë brenda tyre gjeneratorë serbë të tensioneve etnike dhe kufitare. Sipas nismës franceze BE nuk pritet të ketë më angazhimin, që ka pasur deri tani në këto dy shtete në kuadrin e integrimit të tyre në BE.

Shpresa e vetme e shteteve properëndimore dhe proatlantike të rajonit, të cilat aspirojnë të bëhen anëtarë të BE, është që kjo nismë e beftë të mos jetësohet. Shpresat janë që Gjermania, e cila ka qenë dhe mbetet promotorja kryesore e një integrimi në BE të shteteve kandidate dhe aspirante, të mos tërhiqet nga qëndrimi i saj i njohur strategjik i një BE-je, që përfshin të gjitha shtetet evropiane me orientim perëndimor.

Në konferencën e përbashkët të shtypit në 9 maj, që kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Macron mbajtën në Berlin, ku Macron shkoi pas fjalimit të tij në Strasburg për “Komunitetin Politik Evropian”, kancelari gjerman u shpreh se ky është një propozim interesant.

Por, u duk qartë një disonancë në qëndrimet e dy udhëheqësve kryesorë vendimmarrës të BE-së, kur kancelari gjerman deklaroi se propozimi i presidentit francez “nuk duhet të frenojë BE-në nga pranimi i anëtarëve të rij, veçanërisht të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të mbajmë premtimet tona për anëtarësimin. Ne duhet të gjejmë mënyrat që të mos i deziluzionojmë ata”.

Disonanca Francë-Gjermani qysh ditën e parë të shpalljes së nismës franceze për krijimin e “Komunitetit Politik Evropian” mund të konsiderohet si një shenjë pozitive që Gjermania do t’i përmbahet qëndrimit të saj, që e ka mbajtur edhe BE deri tani, për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuptim edhe Shqipëria përfiton nga qëndrimi gjerman për integrimin e saj në BE, gjë që ka rëndësi strategjike. /Gazeta “Dita”/