Julian Alvarez ka rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes të ardhmen e tij te Atletico Madridi, pasi raportohet se është paraqitur në qendrën stërvitore të klubit së bashku me agjentin e tij.

Sipas “Diario SPORT”, sulmuesi argjentinas ka vizituar qendrën sportive të Atleticos së bashku me agjentin e tij kryesor, Fernando Hidalgo. Ata synojnë të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me drejtuesit e klubit për t’ua bërë të qartë dëshirën e futbollistit për t’u larguar gjatë kësaj vere.


Kjo vizitë vjen vetëm pak kohë pasi Alvarez ishte paraqitur në qendrën e klubit edhe së bashku me një tjetër përfaqësues të tij, Sergio Diaz, në një kohë kur situata rreth të ardhmes së tij është bërë gjithnjë e më e tensionuar.

Presioni për largimin e argjentinasit është rritur ndjeshëm pas vendimit të Atletico Madridit për të refuzuar një ofertë të majme prej 100 milionë eurosh nga Barcelona.

Barcelona e kishte bërë Alvarezin një nga objektivat kryesorë për repartin ofensiv, por Atletico Madridi nuk ishte bindur nga oferta e klubit katalunas dhe kishte refuzuar ta lejonte largimin e sulmuesit.

Tani, me Alvarezin që po kërkon të zhvillojë bisedime direkte me drejtuesit e Atleticos, situata mund të marrë një tjetër kthesë.

Argjentinasi duket i vendosur të kërkojë një zgjidhje për të ardhmen e tij, ndërsa Barcelona vazhdon ta monitorojë nga afër situatën./Telegrafi/

telegrafi sport app