Dua Lipa rikthehet në studio pas muajit të mjaltit në Itali dhe dasmës megalomane


Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, i është rikthyer angazhimeve profesionale menjëherë pas muajit të mjaltit që kaloi me bashkëshortin e saj, aktorin Callum Turner.
Artistja 30-vjeçare u fotografua duke hyrë në një studio muzikore në New York, vetëm pak ditë pasi u kthye nga pushimet romantike në Itali. Duke ruajtur atmosferën e dasmës, Dua u shfaq e veshur tërësisht me të bardha, ndërsa stilin e kompletoi me një çantë gri të markës Chloé me vlerë rreth 2,000 funte (2,331 euro).
Dua dhe Callum kurorëzuan dashurinë muajin e kaluar në një ceremoni madhështore në Sicili, ndërsa më pas ndanë me ndjekësit momente nga muaji i mjaltit përmes rrjeteve sociale, shkruan DailyMail.

Çifti udhëtoi përgjatë Bregut Amalfi dhe më pas vizitoi Romën, ku morën pjesë në kurse për përgatitjen e makaronave, shijuan pica tradicionale italiane dhe degustuan verë të kuqe.
Këngëtarja e përshkroi muajin e mjaltit si “parajsë mbi tokë”, ndërsa qëndroi me bashkëshortin në hotelin luksoz La Posta Vecchia, një vilë e periudhës së Rilindjes, pranë Romës, e cila dikur ishte rezidenca bregdetare e biznesmenit J. Paul Getty.
Ata qëndruan në suitën prestigjioze Getty Suite, me pamje nga Deti Tirren, ku një vaskë gjigante prej mermeri ishte një nga elementët më të veçantë të ambientit.
Gjatë udhëtimit, Dua dhe Callum vizituan edhe hotelin luksoz Il Pellicano në rajonin Maremma të Toskanës, ndërsa ndaluan edhe në Napoli dhe Taormina. Në këtë të fundit ata qëndruan në hotelin San Domenico Palace, i cili u bë i famshëm falë serialit The White Lotus 2.
Festimet e dasmës së tyre nisën vetëm tri ditë pasi çifti u martua zyrtarisht në Marylebone Town Hall në Londër. Më pas ata udhëtuan drejt Palermos në Sicili, ku organizuan një festë treditore në vilën historike Villa Valguarnera.

Po aty u mbajt edhe ceremonia simbolike e bekimit të çiftit. Dua dhe Callum janë njohur në janar të vitit 2024 në një festë në Los Angeles, ku zbuluan se po lexonin të njëjtin roman, "Trust" të autorit Hernan Diaz.
Në mesin e të ftuarve në dasmë ishin emra të njohur si Elton John, i cili interpretoi hitin e tij "Your Song", këngëtarja Charli XCX dhe stilistja e famshme Donatella Versace.
Për ceremoninë, Dua veshi një fustan ekskluziv haute couture të Chanel, të dizajnuar nga Matthieu Blazy. Fustani me shpinë të hapur ishte zbukuruar me mijëra rruaza në ngjyrë argjendi dhe të bardhë, ndërsa kishte një bisht spektakolar të mbuluar me 25 mijë pupla.
Ajo mbante gjithashtu një aksesor me pupla në flokë, i lidhur me vellon e gjatë, për qëndisjen e së cilës u deshën plot 3,220 orë pune. Ndërkohë, Callum u shfaq elegant me një kostum të personalizuar të Louis Vuitton.
Një natë para ceremonisë kryesore, çifti organizoi edhe një koktej në Galleria Moderna, ku Dua shkëlqeu me një fustan të krijuar posaçërisht për të nga Bottega Veneta, të kombinuar me një çantë të së njëjtës markë.

Artistja u shoqërua drejt altarit nga babai i saj, Dukagjin Lipa, i cili njëkohësisht është edhe menaxheri i saj, ndërsa nëna e Callum, Rose Turner, kishte gjithashtu një rol të veçantë në ceremoni.
Sipas burimeve pranë çiftit, Dua dhe Callum po mendojnë seriozisht për të krijuar familje në të ardhmen e afërt.
“Ata janë shumë të dashuruar, duan të jenë bashkë përgjithmonë dhe shpresojnë të bëhen prindër jo shumë larg në kohë. Të dy janë njerëz shumë familjarë dhe janë të emocionuar për këtë kapitull të ri”, ka deklaruar një burim për Daily Mail.
Po ashtu, është bërë e ditur se çifti planifikon të jetojë për rreth shtatë muaj në Shtetet e Bashkuara, pasi Callum Turner do të jetë i angazhuar në dy projekte filmike njëri pas tjetrit.
Fillimisht ai do të xhirojë ribërjen e filmit horror "Possession" të vitit 1981, ku do të luajë përkrah Margaret Qualley, ndërsa më pas do të jetë pjesë e filmit "The Comebacker", ku Tom Hanks do të interpretojë trajnerin e tij.
Duke folur për planet e tyre, Callum tha se natyra e punës i detyron të udhëtojnë vazhdimisht nëpër botë, por theksoi se ai dhe Dua bëjnë gjithçka për të kaluar sa më shumë kohë së bashku.
“Kur jemi në Londër, është shumë e rëndësishme të jemi pranë miqve tanë. Por mbi të gjitha, sigurohemi që të jemi bashkë sa më shumë që të jetë e mundur”, është shprehur aktori. /Telegrafi/

















































