Dua Lipa ka bërë debutimin në kopertinën e “Vogue Italia”, duke u shfaqur në numrin e shtatorit 2026 të revistës prestigjioze të modës.

Këngëtarja me origjinë shqiptare është fotografuar në New York nga fotografja Carlijn Jacobs, teksa për pamjen është kujdesur Imruh Asha.


Në kopertinë, Dua shfaqet me një pamje të fuqishme dhe dramatike, e stolisur me diamante dhe rubinë nga Bulgari.

Dua LipaVogue Italia

Fotografia nxjerr në pah një anë më elegante dhe misterioze të artistes, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes së edicionit të ri të revistës.

Kopertina e re vjen në një periudhë kur “Vogue Italia” vazhdon të sjellë në faqet e saj emra të mëdhenj të muzikës, modës dhe kulturës pop.

Në muajt e fundit, revista ka pasur në kopertinë figura të njohura si Vittoria Ceretti, Madonna, Bella Hadid dhe Sabrina Carpenter.

Dua LipaVogue Italia

Reagimet ndaj paraqitjes së Duas kanë qenë të përziera. Shumë fansa e kanë konsideruar kopertinën të bukur dhe elegante.

Disa komentues kanë vlerësuar veçanërisht atmosferën dramatike të fotografisë, derisa të tjerë e kanë krahasuar stilin e saj me estetikën klasike siciliane të Dolce & Gabbana.

Megjithatë, nuk kanë munguar as kritikat. Disa ndjekës të modës kanë thënë se kopertina duket shumë e zymtë dhe e shkëputur, të tjerë kanë argumentuar se fotografia, nëse hiqet teksti i revistës, nuk e përcakton mjaftueshëm identitetin e “Vogue Italia” apo tendencat e sezonit vjeshtë/dimër.

Pavarësisht opinioneve të ndryshme, debutimi i Lipës në “Vogue Italia” përbën një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare.

Artistja ka krijuar tashmë një prani të fortë edhe në industrinë e modës, duke bashkëpunuar me marka të njohura luksoze dhe duke u shfaqur rregullisht në eventet më të rëndësishme të modës.

Me bizhuteritë e Bulgari, fotografinë e Carlijn Jacobs dhe stilimin e Imruh Asha, kopertina e shtatorit 2026 e vendos Dua Lipën në një tjetër kapitull të rëndësishëm të marrëdhënies së saj me botën e modës. /Telegrafi/