eksperti-banner

Donald Trump, 80 vjeç, do të lejohet t’ua dorëzojë personalisht trofeun fituesve të Kupës së Botës dhe të qëndrojë me ta në podium gjatë festimeve, duke thyer protokollin normal të FIFA-s.

Presidentit amerikan i është thënë tashmë se FIFA dëshiron që ai t’ua dorëzojë kupën kampionëve të ardhshëm. Zyrtarë meksikanë dhe kanadezë do të ftohen gjithashtu në ceremoninë e mbylljes së turneut, shkruan “talkSPORT”.


Trump ka tërhequr vëmendje edhe më herët gjatë Kupës së Botës për Klube, kur qëndroi pranë kapitenit të Chelseat, Reece James, ndërsa ai ngriti trofeun. Në atë moment, futbollisti Cole Palmer u duk veçanërisht i hutuar ndërsa qëndroi menjëherë pas presidentit amerikan. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, fillimisht u përpoq ta largonte Trumpin nga skena, por më pas e nxiti të qëndronte gjatë ceremonisë.


Protokolli i FIFA-s dikton që trofeu të vendoset në një piedestal dhe më pas të çohet në podium nga një anëtar i ekipit fitues. Por burime të talkSPORT pranë situatës thonë se FIFA do t’i japë Trumpit liri për të vendosur nëse dëshiron të qëndrojë me ekipin gjatë ceremonisë së trofeut apo të bashkohet me zyrtarët e tjerë në skenë.

Burime të talkSPORT nga Shtëpia e Bardhë besojnë se Trump do të zgjedhë sërish të festojë me ekipin fitues, duke qëndruar pranë lojtarëve në momentin e ngritjes së trofeut.

Për shkak të angazhimeve të tjera, Trump nuk mori pjesë në fitoren hapëse të ekipit kombëtar të SHBA-së kundër Paraguait (4-1), por ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në finalen e Kupës së Botës, e cila do të luhet më 19 korrik në stadiumin “MetLife”.

Gjithashtu, burime nga Shtëpia e Bardhë nuk e përjashtojnë mundësinë që presidenti amerikan të ndjekë edhe disa ndeshje të tjera gjatë turneut, varësisht nga agjenda e tij zyrtare.

Përgatitjet për turneun janë shoqëruar edhe me polemika të tjera, përfshirë kritika për çmimet e larta të biletave dhe produkteve në stadiume, si dhe debatet për numrin e madh të ekipeve pjesëmarrëse. /Telegrafi/

telegrafi sport app