LAJMI I FUNDIT:

DITËT MË TË LUMTURA TË JETËS SONË

DITËT MË TË LUMTURA TË JETËS SONË

Poezi nga: Bajram Mjeku

E pranoj. Ishte kohë e bukur.
Ishin ditët më të lumtura në vitet tetëdhjetë
Kishim flokë të gjata, xhinse të ngushtë
Dhe mbanim portretet e Floydëve në gjoks.


Vajzat në modë mbanin gërsheta
Minifundet thoshin janë në trend.

Na thërrisnin rokerë të marrë
Vetëm pse mbanim kitarë
Dhe kishim gramafonë
Mbi të cilët sillej magjia e zezë.

Nuk i harroj kurrë
Ditët më të lumtura të jetës sonë
Një mbrëmje me afsh e putha Hana N.
Të lutem, bëj kujdes më tha
Puthjet publike më rrëzëllejnë në trans.

Përnjëmend ishte kohë e bukur
Folku i mplakur u nis për në muze
Roku e ndërtonte obeliskun e vet.

*

Vetëm pak kohë më vonë
Sheshi i Republikës papritur u përgjak.

Djemtë nga fanelat ndërruan Flojdët
Çe Gevarën gravuan në gjoks
Vajzat shprishën gërshetat
Ndërruan minifundet
Dhe nisën të mbajnë zi për heronjtë.

Rrugët për një kohë u boshatisën
Tanket pushtuan skenën e rokerëve
Kitarat u përgjakën, jeta u bë e trishtë.

The dogs of war papritur hyri në modë
Të lehurat dilnin nga magjia e zezë
O Zot si u bënë qentë pjesë e jetës sonë.

Papritur socrealizmi u rishfaq sërish
Ibe Palikuqet kuq na e bënin jetën,
Vojo Kushët aktronin bomba përmbi tank.

E pranoj. Ishte kohë e bukur.
Ishin ditët më të lumtura në vitet tetëdhjetë
Kishim flokë të gjata, xhinse të ngushtë
Dhe mbanim portretet e Floydëve në gjoks.

* Titulli i inspiruar nga kënga bendit legjendar Pink Floyd