LAJMI I FUNDIT:

Disa fakte mbi Jose Mourinhon

Disa fakte mbi Jose Mourinhon

Trajneri i famshëm portugez Jose Mourinho, tashmë fillon një fazë të re në karrierën e tij, duke marrë nën drejtim kampionin e Italisë, Interin. Në pritje të sukseseve të tij me klubin italian, në mënyrë të përmbledhur në disa pika do të përshkruajmë karrierën e deritanishme të trajnerit të ri të nerazurëve.

• Mourinho është lindur më 26 janar të vitit 1964, në qytetin Setubal, Portugali.

• Pas një karriere modeste si lojtar, në vitin 1992 pranon detyrën si përkthyes gojor i ish-menaxherit të Anglisë, Bobby Robson, në klubin portugez Sporting Lisbon, ku më vonë bëhet edhe ndihmës trajner (1994-1996).


• 1996 – Së bashku me Robson zhvendoset tek Barcelona dhe ndihmon ekipin të fitojë Kupën e Mbretit, Superkupën dhe Kupën Evropiane të Fituesve të Kupave.

• 2000 – Merr përsipër detyrën e parë si trajner kryesor tek Benfica, por grindet me presidentin e klubit dhe largohet.

• 2003 – Fiton kupën UEFA dhe dy titujt vendorë në sezonin e tij të parë nën drejtimin e klubit portugez, Porto.

• 2004 – Fiton titullin e dytë në ligë dhe Porto bëhet kampion evropian nën drejtimin e tij, pasi që në finalen e Ligës së Kampionëve mposhti me rezultat 3-0 ekipin e Monakos, të drejtuar nga Didier Deschamps. Zbulon synimin e tij të largohet nga klubi dhe më pastaj emërtohet trajner i Chelseat me kontratë trevjeçare.

• 2005 – Udhëheq Chelseat drejt titullin të parë në Premierligë në 50 vitet e fundit.

• 2006 – Nën drejtimin e Mourinhos, Chelsea mbron titullin e Premierligës.

• 2007 – Chelsea përfundon në vendin e dytë të Premierligës, pas Manchester United ndërsa humbet nga Liverpooli, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Por as këtë vit Mourinho nuk mbeti duarzbrazët. Blutë fituan Kupën FA dhe Kupën e Ligës. Mourinho vazhdimisht mohon spekulimet se ishte jo i lumtur në klub, që flisnin për një përçarje të tij me pronarin rus të klubit Roman Abramovich.

• Chelsea bën një fillim të dobët në sezonit 2007-08 duke u mposhtur nga Aston Villa në Premierligë dhe duke barazuar 1-1 me klubin norvegjez Rosenborg në ndeshjen e parë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.

• 20 shtator – Chelsea konfirmon largimin e Mourinhos në bazë të marrëveshje dypalëshe, në një deklaratë në ueb faqen e vet, në orët e hershme të së enjtes (20 shtatorit).

• 2008 – Mourinho caktohet menaxher i kampionit të Italisë, Interit, duke zëvendësuar trajnerin e shkarkuar Roberto Mancinin.