LAJMI I FUNDIT:

Diaspora dëshiron përfaqësim në Kuvend, deputetët skeptikë

Diaspora dëshiron përfaqësim në Kuvend, deputetët skeptikë

Vite më parë kishte filluar një diskutim që në reformën zgjedhore të futeshin edhe ndryshimet për t’ia mundësuar diasporës përfaqësimin në institucionin më të lartë ligjvënës, përmes vendeve të rezervuara enkas për ta, por që kjo ka mbetur vetëm në letër.

Ministria e Diasporës, por edhe vetë organizatat që merren me të drejtat e bashkatdhetarëve , e shohin të domosdoshëm përfaqësimin e tyre në  Kuvend.

Zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci tha për KosovaPress se janë duke punuar për strategjinë e re për periudhën 2019-2024, në të cilën do të jetë e paraparë që diaspora të ketë përfaqësues në legjislativin e vendit.

“Në strategji është e paraparë decidivisht që diasporës  t’i mundësohet qasja në këtë rast konkretisht të ketë përfaqësues në Kuvend apo përfaqësues politik. Ne si ministri jemi për t’ua mundësuar diasporës sonë vende të rezervuara në Kuvend. Mirëpo kjo varet prej vullnetit politik të subjekteve politike dhe duhet të punohet në reformën zgjedhore, e cila besoj shumë shpejt do të mblidhen subjektet politike dhe të fillojë një reformë të mirëfilltë si për Kosovën dhe partitë në Kosovës, gjithsesi edhe për diasporën që t’i dëgjohet zëri në Kuvendin e Kosovës”, tha Daci.

Madje, sipas tij, diaspora duhet të jetë e përfaqësuar jo vetëm në Kuvend, por edhe në asamble komunale.

Edhe drejtoresha e organizatës “Germin” për Kosovën, Liza Gashi, organizatë kjo që merret me diasporën thotë se e shohin shumë të domosdoshme që bashkatdhetarët të kenë përfaqësim në institucionet me të larta të Kosovës.

Madje, sipas saj, diaspora duhet të njihet edhe me Kushtetutë, meqë është grupi më i madh social që jeton jashtë vendit.

“Unë jam ithtarë e asaj që së pari të krijojmë një Këshill kombëtar të Diasporës që do të krijonte një mekanizëm direkt për reagim në politikbërje karshi komisioneve, Kuvendit. E mandej ky Këshill kombëtar nuk ish dashtë të jetë me idenë që unë kam punuar për këtë vend e duhet patjetër të kem një vend, mendoj që edhe kjo qasje duhet të ndërrohet. Edhe në Kosovë njerëzit duhet të kuptojnë që nuk mund të bëhesh ministër brenda natës. Ishte dashtë të mendohet që ne këtu kemi të rinj që kanë potencial dhe duan të dalin në migrim sepse nuk shohin shpresë në këtë vend”, tha Gashi.

Por për mundësinë e përfaqësimit të diasporës në Kuvend e shohin pak me spekticizëm edeputetët dhe shoqëria civile. Megjithatë, japin alternativa të tjera, që sipas tyre janë më të mira.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë për KosovaPress, se ideja për përfaqësim politik të diasporës duhet analizuar shumë dhe me kujdes, duke ditur se bashkatdhetarët nuk janë të koncentruar vetëm në një shtet, por janë në gjithë botën.

“Organizimi eventual i zgjedhjeve për të provuar që ata të kenë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, mendoj që do ta komplikonte seriozisht përfaqësimin adekuat të tyre. Ne nuk po arrijmë të organizojmë zgjedhje të rregullta ose qasje të lehtë të tyre për të votuar për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. E dimë sa pak votojnë përmes postës, sa forma burokratike i kanë ata. Ne nuk po arrijmë që t’ua lehtësojmë këtë, e lere më të organizojmë proces paralel zgjedhor që ata me pas të delegonin një përfaqësues ose dy në Kuvendin e Kosovës”, tha Selmanaj.

Selmanaj thotë se ka mendim ndryshe në këtë fazë. Sipas tij, shteti duhet të ndërrojë qasje dhe t’u krijojë kushte mërgimtarëve që të vijnë të investojnë në Kosovë, që t’ua lehtësojnë udhëtimin përmes Kartonit të Gjelbër, por edhe shumë aspekteve tjera.

“Kështu e shoh unë. Tendenca për të provuar që Kuvendi i Kosovës të sillet përsëri edhe një kategori tjetër e vendeve të rezervuara, unë mendoj që edhe këto vendet e rezervuara që sot i kemi për minoritetet duhet t’i rishikojmë pas një periudhë, sepse Kuvendi nuk mund të bëhet institucion i të rezervuarve. Do të thotë 10 janë për serbët, 10 janë për minoritetet jo serbe, 30 për qind janë për gra, sikur po fillojmë ta shndërrojmë Kuvendin te të rezervuarve, jo të zgjedhurve drejtpërdrejtë nga populli”, tha Selmanaj.

Edhe Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, e sheh të rëndësishme përfaqësimin e diasporës kosovare në institucionet e vendit.

Por, sipas tij, duhet gjetur një alternativë, sepse përmes rezervimit të vendeve në Kuvend, është vështirë i realizueshëm.

“Mirëpo, duke pasur parasysh disa probleme që i kemi me listën zgjedhore në Kosovë. Është shumë e vështirë ta themi që diaspora mund të votojë vetëm për njerëzit e diasporës ose nuk kemi një listë zgjedhore të saktë dhe do të ishte shumë e komplikuar, e sidomos duke pasur parasysh edhe faktin që në Kosovë asnjëherë nuk po mund të organizojmë zgjedhje të rregullta, gjithmonë po kemi zgjedhje të jashtëzakonshme dhe mënyra e tillë që ne të kemi vende ose votim paralel vetëm për diasporën është paksa e komplikuar dhe vështirë e realizueshme duke i pasur parasysh rrethanat që ekzistojnë në Kosovë”, tha Ismaili.

Por, megjithatë ka një zgjidhje që do të mund të tregohej e suksesshme dhe mund të provohet.

“Ajo zgjidhje është që subjektet politike në Kosovë në listat e tyre të përfshijnë shumë më shumë numër të diasporës. Në këtë mënyrë edhe diaspora por edhe këta brenda që janë do të mund të votonin për të zgjedhurit e tyre dhe ndoshta do të kishin përfaqësim më të madh të anëtarëve të diasporës në Kuvendin e Kosovës. Tani mund edhe të kemi një lloj kuote brenda subjekteve politike, siç është ajo gjinore, atëherë të kemi edhe një kuotë që brenda listave të subjekteve politike duhet të ketë edhe përfaqësues ose kandidat nga diaspora”, u shpreh Ismaili.

Ismaili ka kritikuar institucionet pasi nuk kanë bërë shumë që nga përfundimi i luftës për diasporën.

Madje, sipas tij, vetëm gjatë kohës kur vijnë mërgimtarët, institucionet mbushen me folklor, por që nuk bëhet asgjë për t’iu krijuar kushte qoftë për investime, qoftë për ardhjen e tyre më të lehtë në Kosovë, kur dihet se paguajnë shumë të mëdha parash duke mos pasur Kartonin e Gjelbër, por edhe çmimi i biletave. /KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat

Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat "Zajednicën", për Këshillin e Evropës...

Lajme
Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Siguri
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori